“Kaosi në Xhorxhia”, parathënie për zgjedhjet e nëntorit?

11/06/2020 02:57

Debati i gjatë për të drejtat e votimit dhe sigurinë e zgjedhjeve u shfaq qartë në Gjeorgjia, ku votimet partiake u shoqëruan me akuza të ndërsjellja duke ofruar një parathënie të betejës së nëntorit, ku shtetet fushë-betejë mund të përballen me pjesëmarrjen rekord në votime. Shumë demokratë fajësuan sekretarin republikan të shtetit për radhët e gjata ku njerëzit pritën për orë të tëra, keqfunksionimet e makinave së votimit, mungesat e përkohshme të votave dhe vonimin e fletëvotimeve në mungesë që nuk arritën të vinin në kohë për zgjedhjet e së martës. Fushata presidenciale e demokratit Joe Biden e quajti situatën “plotësisht të papranueshme”.

Republikanët nga Xhorxhia ia hodhën përgjegjësinë problemeve në komunat me shumicë me ngjyrë në Atlanta dhe në zona të tjera të kontrolluara nga democratët, përgjegjësinë ndaj pakicës së madhe të Atlantës dhe qarqeve të kontrolluara nga Demokratike, ndërsa juristi kryesor i fushatës së Presidentit Donald Trump e quajti “kaosi në Xhorxhia”. Situata solli në kujtesë një tjetër skenar zgjedhjesh në Florida në vitin 2000, kur debati mbi fletëvotimet e vlefshme dhe rinumërimi i votive krijoi një krizë zgjedhore dhe la një shije të keqe për procesin.

Në një situatë të tillë, pretendentët në zgjedhjet e nëntorit Trump, Biden dhe përkrahësit e tyre mund të ofrojnë argumente kundërthënëse dhe të këmbëngulin për fitoren e kampit të tyre, ose të vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve, duke ndezur një elektorat tashmë të acaruar. Adia Josephson, një votuese 38-vjeçare afrikano-amerikane në zonën Brukhejvën, fare pranë Atlantës, priti më shumë se dy orë për të votuar, por tha se nuk i shkoi ndërmend të largohej thjesht nga radhët e gjata. Problemet me makinat e votimit dhe linjat e gjata duhet të korrigjohen para zgjedhjeve të ardhshme, tha ajo. “Nuk ka vend për gabime,” tha ajo. “Këto zgjedhje ofrojnë shumë për të fituar dhe shumë për të humbur”.

Në selinë e fushatës së Presidentit Trump, këshilltari i lartë Justin Clark fajësoi presionin në Xhorxhia për të votuar me postë në mes të pandemisë së COVID-19, duke aluduar, siç ka pretenduar më parë presidenti pa ofruar fakte apo prova, se votimi në mungesë rezulton në manipulime në shkallë të gjerë. “Populli amerikan dëshiron të sigurohet se rezultatet e zgjedhjeve pasqyrojnë me saktësi vullnetin e votuesve,” tha zoti Clark. “E vetmja mënyrë për t’u siguruar që populli amerikan do të ketë besim tek rezultati është nëse njerëzit që munden, paraqiten dhe votojnë personalisht”.

Rachana Desai Martin, një juriste e fushatës Biden, i quajti skenat në Xhorxhia një “kërcënim” për demokracinë. “Kanë mbetur vetëm disa muaj deri kur votuesit në mbarë vendin të kthehen sërish në votime dhe duhet të fillojnë menjëherë përpjekjet për të siguruar që çdo banor i shtetit Xhorxhia – dhe çdo amerikan – është në gjendje të ushtrojë me besim të drejtën e tij të votës,” tha ajo. Zonja Martin nuk u shpreh haptazi se kë konsideron me faj në këtë situateë, por dy demokratë nga Xhorxhia në listën e zotit Biden si kandidatë të mundshëm për nënpresident, ia vunë fajin sekretarit republikan të shtetit Brad Raffensperger, i cili kryesoi procesin e zgjedhjes së sistemit elektronik për votime në shtetin e Xhorxhias dhe u bëri thirrje votuesve të kërkojnë fletëvotime në mungesë.

Kryetarja e bashkisë së Atlantës, Keisha Lance Bottoms, komentoi në Twitter për problem në disa zona të Altantës. “A po ndodh kjo në të gjithë vendin, apo vetëm në zonën jugore,” pyeti kryebashkiakja demokrate, duke iu referuar një zone me një popullsi kryesisht me ngjyrë. Stacey Abrams, kandidate demokrate në 2018 për guvernatore e Xhorxhias dhe banore e Atlantës, ka komentuar në Twitter se “Banorët e Xhorxhias meritojnë më shumë” dhe se sekretarit të shtetit, Raffensperger “i bie mbi supe përgjegjësia për këtë katastrofë”. Abrams njihet si aktiviste për të drejtave e votimit, pasi nuk pranoi të deklaronte humbjen në garën për guvernatore të shtetit në 2018 për shkak të parregullsive në procesin e votimit, kur rivali i saj republikan, Brian Kemp ishte sekretar i shtetit. Tani zoti Kemp është guvernator i shtetit.

Aktivistët për të drejtën e votës, përfshirë organizatën e zonjës Abrams për këtë synim, thanë se situata në Xhorxhia dëshmon nevojën për përpjekjet e tyre për të luftuar atë që ata përshkruajnë si një përpjekje të koordinuar të Partisë Republikane për të krijuar pengesa ndaj të drejtës për votë. Organizatat për të drejtën e votes, përfshirë Fair Fight, Prioritetet USA dhe American Bridge këtë javë njoftuan një partneritet të titulluar: “Vigjilencë përballë Pengesave ndaj Votës”. “Presidenti Trump është duke u përpjekur ta zgjasë këtë konflikt të brendshëm duke krijuar frikë për sigurinë e votës me postë,” tha Aneesa McMillan nga organizata aktiviste Prioritete. Ajo vuri në dukje planet e Komitetit Kombëtar Republikan për të rekrutuar mijëra vëzhgues në votime, pasi ka skaduar urdhri i gjykatës kundër Partisë Republikane, i cili e ndalonte këtë praktikën, të cilën demokratët e konsiderojnë si frikësim të votuesve.

“Ne duhet të nxjerrim mësime, jo vetëm nga situata në Xhorxhia. Duhet të mbrojmë të gjithë sistemin,” tha zonja McMillan. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Raffensperger fajësoi struktura të tjera për problemin, duke thënë se ligji në Xhorxhia ia dorëzon përgjegjësinë për përgatitjet komunave dhe autoriteteve vendore. “Faktikisht, problemi u shfaq në një numër të vogël komunash: në Fulton dhe DeKalb,” tha sekretari i shtetit, Raffensperger. “Nuk ka asnjë lidhje me punën që po bëjmë në pjesën tjetër të Xhorxhisë”.

Raffensperger, duke minimizuar problemet që u dokumentuan në komuna të tjera, premtoi hetime për menyrën si u menaxhuan zgjedhjet partiake në komunat Fulton dhe DeKalb. Kryetari republikan i legjislaturës shtetërore të Xhorxhias, ndërkohë, bëri thirrje për një hetim të të gjithë procesit të zgjedhjeve partiake, duke veçuar situatën në komunën Fulton si “veçanërisht” shqetësuese.

Këto akuza e kundërakuza lidhur me probleme në procesin e votimit , mes republikanëve të bardhë dhe demokratëve me ngjyrë që janë të përqëndruar kryesisht në zonat e mëdha urbane, nuk janë fenomen i ri. Kjo situatë mund të përsëritet lehtë në nëntor në shtetet fushë-betejë, ku demokratët dhe pakicat me ngjyrë kanë prani të fuqishme në qytete dhe zona me popullsi të dendur, si në komunën Brouard ( qyteti Fort Lauderdale) në Florida; komuna Uejn (pranë Detroitit), në shtetin Miçigan; qyteti Sharlotë në Karolinën e Veriut; Filadelfia në Pensilvani.

Komuna Fulton, e cila përfshin pjesën më të madhe të Atlantës, në të kaluarën është dallur për numërim të ngadalshëm të votave. Shefi i zgjedhjeve lokale në këtë komunë, Richard Barron, e quajti të martën një “përvojë mësimi” ndërsa aludoi për rolin e shtetit në procesin e zgjedhjeve partiake. Akuzat e ndërsjellta nuk kufizohen vetëm tek interpretimi i ligjit.

Sekretari i shtetit Xhorxhia, zoti Raffensperger vuri në dukje që zyrtarët e komunës kanë përgjegjësinë për të trajnuar punonjësit e zgjedhjeve, përfshirë edhe në lidhje me përdorimin e makinave të reja të votimit. Por zoti Raffensperger është zyrtari kryesor i shtetit për zgjedhjet, i cili ka autoritetin për të vendosur se sa makina të dërgojnë në secilën komunë dhe zyra e tij siguron materialin përgatitor për të trajnuar zyrtarët lokalë.

Për sa u përket votimit në mungesë, sekretari republikan i shtetit punoi për një qasje të pashembullt për votim me postë, me ose pa arsye, duke paguar për t’i dërguar çdo banori me të drejtë vote formularin pë të kërkuar të drejtën e votës me postë. Por, siç vuri në dukje zoti Barron, as sekretari i shtetit dhe as legjislatura nuk siguruan para shtesë për zyrtarët lokalë për të punësuar staf për të përballuar pjesëmarrjen e lartë në votime që tejkaloi dukshëm shifrat e pjesëmarrësve në një votim të zakonshëm në zgjedhje partiake.

Bazuar në problemet e së kaluarës, zyrtarë shtetërorë e lokalë, në Xhorxhia apo shtete të tjera mund ta gjejnë veten në mes të një stuhije kombëtare nëse krijohen problem gjatë zgjedhjeve presidenciale. “E kam të qartë që në këtë periudhë polarizimi partiak, gjysma e njerëzve do të mbeten të kënaqur dhe gjysma tjetër do të jenë e zhgënjyer,” tha zoti Raffensperger. “Ne duam të garantojmë që 100% të njerëzve ta kenë të qartë se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të drejtë dhe rezultati reflekton numrin e saktë”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA