Në përditësimin e bilancit përballë Covid-19, i ndjeri dhe viktimat e tjera janë numra që përshkallëzojnë situatën. Në realitet, ata janë familjarë, prind, baba, nënë, vëlla, motër apo shok që pas kanë lënë boshllëk të madh te rrethi i tyre. Dikush pensionist, një tjetër ekonomist, dikush zyrtar i shtetit, dikush sportist, një tjetër biznesmen e dikush njeri i thjeshtë.

Të gjithë kanë qenë të barabartë përballë armikut të padukshëm që ka treguar se është tinëzar, i pabesë dhe i paparashikueshëm. Pas çdo njoftimi zyrtar për viktimën e radhës, qëndron jo vetëm beteja kundër së keqes, por mbi të gjitha, qëndron historia e jetës së atij qëlargohet nga kjo botë.
“Ndjesia është shumë e keqe, të vish këtu në palestër se sa herë vija shikoja prof.Nerin, tashi, skam me asnjë ndjesi për këtë sport”, tregon Alban Bërmeta, boksier.

Albani është një prej kampionëve të boksit në Shqipëri me një karrierë 15-vjeçare. Për të asgjë nuk është njësoj në palestër prej 5 Prillit, ditës kur u largua nga kjo botë trajneri i tij Skënder Kurti.

Profesor Neri siç të gjithë e thërrisnin, ka fituar me qindra beteja si boksier dhe si trajner, por humbi betejën më të rëndësishme, atë për jetën. Covid-19 i mori jetën para kohe, në moshën 61-vjeçare ikonës së boksit në Shqipëri, ish-trajnerit të kombëtares dhe themeluesit të ekipit të Tiranës.

“Është nga themeluesit të trajningut në Shqipëri, e bënte me shumë pasion, kryesisht u mor me Tiranën e themeloi nga e para, Tirana u bë një nga ekipet më të mira në boks”, tregon Shkëlqim Hajdari, mik i Skënder Kurtit. “Ai ka bërë 2, ka ndërtuar dy ekipe, garden, Tiranën që shumë herë kanë dalë kampion, kanë qenë ekipet e para, se di a do japë dot dikush tjetër aq sa ka dhënë ai për sportin”, tregon Alban Bërmeta, boksier.

Boksi ka qenë i ndaluar si disiplinë gjatë periudhës së diktaturës. Ringritja e këtij sporti pas rënies së sistemit totalitar, lidhet edhe me emrin e Skënder Kurtit. Sukseset që Albani ka ndarë me profesor Nerin janë të shumta. I fundit, është një kujtim i freskët i para pak muajve kur ai arriti të triumfojë në një ndeshje finale.

“Kujtoj një moment që se di si ta kujtoj më të bukurin apo trishtin, ndeshja e fundit te Tirana, ishte e rëndësishme e kur mbaroi ndeshja e përqafova se fitova, po festonte me mua me në lot në sy, e më tha s’kam qajt kurrë ne jetë… vetëm për këtë ndeshje, i dilnin lotët, ishte ndeshja e fundit”, tregon Alban Bërmeta, boksier.

Për ata që e kanë njohur, kjo ishte një sjellje normale e profesor Nerit. Ai i trajtonte boksierët si djemtë e tij. Ndërtonte me ta shumë më tepër se raporti mes një trajneri dhe një boksieri.

Top Channel