Inside Story/ “Na vranë të gjithë”, si u shfaros në banesë familja e ‘Nel Çamit’. Rrëfimi ekskluziv i motrës: Ja autori, po dridhej…

20/05/2026 21:55

Kjo thirrje përmes një zëri që tregonte betejë me vdekjen dhe tronditje të rëndë psikologjike, ishte alarmi që morën të afërmit e familjes Mahmuti duke gdhirë mëngjesi i datës 19 mars 2011.

“Ka qenë bashkëshortja e vëllait tim që ngeli e plagosur nga tragjedia, masakra, edhe ajo merr në telefon çunin e xhaxhait sim e i thotë: “Hajde se ne na kanë vrarë…'”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

Nusja e shtëpisë, Myzejenia, me plagë arme në trup, gjeti forca sa për të bërë njoftimin e tmerrshëm e më pas, në banesën e familjes në lagjen “Syrja Dylgjeri”, mbërriti policia…

Skena ishte e tmerrshme. Një familje e shuar plotësisht. Babai Emin Mahmuti, 62-vjeç, djemtë Xhelali, 36-vjeç dhe Pëllumbi, 42-vjeç, të tre të vdekur në vend me plagë pistolete. Nusja e shtëpisë, 42-vjeçarja Myzejen Qosja, partnerja e Pëllumbit, u gjet në gjendje të rëndë, por fatmirësisht arriti të mbijetojë.

Në njërën prej dhomave u gjetën të vdekur me plumb pas koke Emini, 62-vjeçar dhe i biri Xhelali, 36-vjeçar. Në dhomën tjetër u gjet pajetë, sërish me plumb në kokë, djali tjetër, Pëllumbi. Pas vrasjes së këtij të fundit, është goditur edhe partnerja e tij, e cila u rrëzua pa ndjenja, duke u menduar e vdekur nga autori i krimit brutal.

“Hynë brenda në shtëpi e i vranë të tre, kjo është. Kur na morën në telefon i thanë burrit tim, çfarë të themi, e tmerrshme, masakër. Si nuk më morën mua organet kompetente, më bën çudi”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

Viktimat ishin familja e ngushtë e Zenel alias Andon Mahmutit, i njohur me nofkën “Nel Çami”. Asnjë prej personave të vdekur nuk kishte precedent penal. Ngjarja nuk është zbardhur sot e kësaj dite, edhe pse hetimi u fokusua menjëherë në konfliktin e nisur në Spanjë me familjen Çaka. Autorët e krimit, duke qenë se nuk arrinin të gjenin Nelin, u hakmorën duke i shuar të gjithë familjen brenda në banesë.

“Tani, ne këtë gjë e dinim, se i bënin shumë presion vëllait tim të vogël, Lalit, e Lali më thoshte: “Motër, do na vrasin”, dhe babi ishte i frikësuar. I kalonin me makinë te këmbët e i thonin: “Rro edhe ca ditë…” Everest Çaka dhe Arjan Spahiu, ditët e fundit, vëllait tim i futën tmerrin. “Ta kemi prerë kostumin, çam, edhe ca ditë edhe buzëkuqin…'”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

Ndër veprimet e para që kreu policia në atë kohë, ishte shoqërimi dhe marrja në pyetje e disa personave të konsideruar si të afërm me kundërshtarët e Nel Çamit. Në atë drejtim ishin edhe dyshimet e grupit hetimor. Vetë motra e viktimave jep për herë të parë detaje konkrete, duke folur edhe me emra…

“Everest Çakën, atë akuzoj, se atij iu vra vëllai në Spanjë edhe ai tha që nga familja e Nel Çamit nuk do lë njeri dhe Lencin, sa të dalë nga burgu, do e vrasë. Ai e ka deklaruar atë.”

“Everesti ishte poshtë te shkallët, kur kaluan viktimat aty që i morën, edhe unë në katin e dytë, që më pyetën, dhashë deklaratë, e kur zbres më thotë djali i xhaxhait: “E pe atë? Ai është Everesti”, kokëmadh ashtu rrinte, dridhej…”, u shpreh Silvana Omeri, motra e Zenel Mahmutit.

“Në çdo rast, organet e drejtësisë, hetimit, policia ka detyrimin të verifikojë mundësinë e përmendjes së emrave të mundshëm që mund të kenë lidhje me ngjarjen, të vërtetojë nëse emrat lidhen me ngjarjen, ka prova që i lidhin dhe kur bindet që nuk lidhen dëshmitë me dyshimet, me autorët konkretë që rezultojnë nga dëshmitë e familjarëve, duhet ta vërtetojë këtë me prova të forta”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.

Top Channel