“Nuk dorëhiqem, shpirti im nuk përkulet”/ U dhunua një natë më parë, drejtori i AKU-së në Shkodër: As në lule të ballit nuk më tremb…

22/05/2026 21:04

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër, Ramir Haderi, ka reaguar publikisht pas incidentit të dhunshëm të ndodhur mbrëmjen e djeshme ndaj tij, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar.

Në një reagim të gjatë, Haderi shprehet se mesazhet dhe telefonatat e shumta nga qytetarët kanë qenë një mbështetje e madhe për të dhe familjen e tij, duke theksuar se kjo situatë i jep edhe më shumë përgjegjësi për të vijuar detyrën.

Ai thekson se besimi i qytetarëve është “amanet dhe forcë”, që e detyron të vazhdojë shërbimin me dinjitet dhe përkushtim ndaj Shkodrës.

Në reagimin e tij, Haderi deklaron se nuk do të ndalet përballë presioneve apo kërcënimeve, duke shtuar se as dhuna dhe as aktet e papritura nuk mund t’i ndryshojnë parimet e tij.

Sipas tij, ngjarja e ndodhur përfaqëson një goditje të rëndë personale, por edhe një moment që ka sjellë edhe më shumë mbështetje nga qytetarët.

Ai shprehet se kjo mbështetje i jep forcë për të mos u tërhequr dhe për të vazhduar punën.

Statusi i plotë:

Ju falënderoj nga zemra për solidaritetin, mbështetjen dhe njerëzillëkun tuaj ndaj meje dhe familjes sime.

Mesazhet, telefonatat dhe kujdesi juaj kanë qenë të panumërta. Për arsye shëndetësore nuk kam mundur t’ju përgjigjem të gjithëve në kohë, por mirënjohja ime është e pafund.

Shkodra ka treguar edhe njëherë se, përtej bindjeve apo ndasive, di të bëhet bashkë kur duhet. Kjo është forca dhe fisnikëria e këtij qyteti.

Besimi juaj ndaj meje nuk është thjesht mbështetje është amanet, është forcë që më mban në këmbë edhe në ditët më të vështira. Është përgjegjësi dhe detyrim moral për t’i shërbyer këtij qyteti me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim qytetar.

As pabesia, as qyta e armëve tinzare pas shpine në mes të qytetit, as presionet e ndryshme nuk do të mund të më ndalin apo të më zbehin parimet e mia për të ecur drejt, lirshëm dhe me ndërgjegje të pastër.

Sepse plagët nuk janë vetëm në trup ato mbeten në shpirt. Por shpirti im nuk përkulet.

As në lule të ballit nuk më tremb dora tinzare e pabesë e natës. Nuk më trembin e as më mposhtin.

Pas kësaj dhimbjeje, e goditje pas shpine kam ndjerë dorën dhe zemrën e qytetarëve të mi. Dhe kjo më jep forcë të mos bie, të mos hesht dhe të mos tërhiqem.

Detyra ime ndaj Shkodrës është shërbimi dhe mosdorëheqja përballë së keqes e kërcënimeve.

Shkodra ka ditur gjithmonë të bëhet krah, besë dhe forcë e përbashkët për qytetin e saj, dhe unë, me përulësi, do të vazhdoj të ndjek atë rrugë me të njëjtin besim e përgjegjësi.

Shpreh besimin tim të plotë tek Policia e Shtetit dhe organet përgjegjëse për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të porositësve të saj jo vetëm për mua, por për vetë qytetarët.

Shkodra meriton besim.

Shkodra meriton drejtësi.

Me përulësi,

I juaji.

Top Channel