Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë ka shkaktuar kundërshtimin e përfaqësuesve të profesioneve të lira, të cilët paralajmëruan se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese nëse ndryshimet ligjore miratohen në formën aktuale.
Gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë, avokati Lulzim Alushaj, përfaqësues i Aleancës së Profesioneve të Lira, kërkoi që qeveria të rishikojë propozimin, duke kujtuar edhe betejën e mëparshme ligjore për tatimin mbi të ardhurat e profesionistëve të lirë, të cilën e fituan në Gjykatën Kushtetuese.
“Ulja e menjëhershme dhe kaq drastike e pragut do të prekë një pjesë të profesioneve të lira. Sa do të mbledhë qeveria nga ulja e pragut dhe çfarë impakti ka kjo te profesionet e lira? Nëse ky ligj kalon në këtë formë, ka disa mangësi që duhen goditur në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Alushaj.
Sipas tij, përfshirja në skemën e TVSH-së do të godasë veçanërisht profesionistët që ofrojnë shërbime, si avokatët, dentistët dhe audituesit, pasi rritja e kostos nuk mund t’i transferohet gjithmonë konsumatorit.
“Një rritje e menjëhershme me 21% në formulën e TVSH-së do të ndikonte direkt në të ardhurat e profesionistëve, sepse sapo u çliruan nga një barrë në vitin 2024, nga tatimi mbi të ardhurat, u erdhi një goditje e dytë, që është futja në skemën e TVSH-së”, tha ai.
Alushaj ngriti shqetësime edhe për efektin prapaveprues që, sipas tij, kanë ndryshimet e propozuara për TVSH-në dhe dividendin, duke argumentuar se cenojnë sigurinë juridike.
“Ligji i dividendit është me efekt prapaveprues dhe ligji i TVSH-së me efekt prapaveprues. Të dy janë në shkelje të plotë të Kushtetutës. Në këtë ne kërkojmë të keni një lloj reflektimi”, u shpreh avokati.
Ai paralajmëroi se profesionistët e lirë janë të gatshëm të ndjekin të njëjtën rrugë ligjore si në rastin e tatimit mbi të ardhurat: “ Nëse ky ligj kalon në këtë formë, ka disa mangësi që duhen goditur në Gjykatën Kushtetuese”, tha Alushaj, duke kërkuar reflektim nga ligjvënësit
Ndërkohë, kontabilisti Artur Papajani paralajmëroi se ulja e pragut të TVSH-së mund të nxisë informalitetin, në vend që ta luftojë atë.
“Kjo shpejtësi e ndryshimit të pragut, me amplitudë të çuditshme, nuk e kemi parë në shtete të tjera. Kaluam nga 2 milionë direkt në 10 milionë, nga 10 në 5 milionë dhe kjo sjell pasoja te numri i tatimpaguesve”, deklaroi Papajani.
Ai kundërshtoi argumentin se ulja e pragut do të ndihmojë në luftën kundër informalitetit, duke theksuar se bizneset që preken janë subjekte të regjistruara.
“Nuk ka lidhje fare me informalitetin pragu, sepse të gjitha ato që kalojnë në prag janë biznese formale, të regjistruara. Duke i rikthyer prapë, do të tentojnë informalitetin, do të tentojnë të copëzojnë xhiron dhe kjo nuk është në të mirën e të gjithëve”, tha ai.
Papajani propozoi që pragu i TVSH-së të vendoset në 8 milionë lekë, duke iu referuar përllogaritjeve që, sipas tij, janë bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai kërkoi gjithashtu që të vlerësohen kostot që do të kenë bizneset dhe administrata tatimore nga zbatimi i skemës së re.
Sipas tij, ndryshimi i pragut rrezikon të prekë edhe një pjesë të fermerëve, të cilët mund të humbasin përfitimet nga skema e kompensimit.
Avokati Alushaj kundërshtoi edhe pretendimin se administrata tatimore është e përgatitur për zbatimin e ndryshimeve, duke përmendur gjobat e pajustifikuara, moskthimin e përgjigjeve dhe shtyrjen e afateve.
Diskutimet për ndryshimet fiskale u shoqëruan edhe me një debat mes avokatit Lulzim Alushaj dhe deputetit socialist Erion Braçe.
“Ne nuk jemi gati, biznesi shqiptar, profesionet e lira nuk janë gati që çdo dy vite, çdo qeveri e këtij vendi të ndryshojë ligjet fiskale. Ligji i fundit mbi tatimin e të ardhurave ishte ndryshuar, kur ne e studiuam, 48 herë. Në një vend si Shqipëria, të ndryshosh një ligj mbi tatimin e të ardhurave 48 herë është shumë. Ligji i TVSH-së që ju keni përpara është aprovuar para dy viteve, është hera e katërt që po modifikohet. Kjo nuk jep siguri juridike, jo vetëm subjekteve, por as investitorëve, askujt. Kjo duhet parë në një kuadër pak më të gjerë, përveç faktit që po mbingarkohemi me tatime dhe TVSH “, vijoi diskutimin per paketën fiskale Alushaj.
“Qytetarët të kanë votuar, zotëri, dhe duhet të jeni korrekt me atë që thoni. Tatimet nuk janë gati për të bërë këtë reformë. Modifikoni shtetin, se e keni për ibret. Shteti që kemi ne sot është për ibret”, iu drejtua Alushaj deputetit socialist.
“Mos më trego mua qytetarin”, iu përgjigj Braçe.
Debati vijoi edhe për mënyrën e drejtimit të diskutimit, ndërsa Alushaj kundërshtoi ndërprerjen e fjalës.
“Jo, nuk e mbyll mikrofonin unë, se nuk e drejtoni ju seancën”, tha avokati.
“Shiko, që të jesh i qartë ti, unë nuk kam shtet privat. Shtetin ku operon dhe bën para ti, atë shtet kam edhe unë. Unë marr rrogë, nuk bëj para si ty. Unë kam profesionin bujk. Bujk kam profesionin. Por, që ta kuptosh herë tjetër, këtë lloj arrogance mos e përdor kund. Kush je ti që jep këshilla?”, iu përgjigj Braçe.
Top Channel