Beton mbi veprën historike/ Alarm për punimet në Kalanë e Tepelenës, Auron Tare: Greqia që e ka shpallur armik Ali Pashën përfiton, ndërsa ne…

22/05/2026 19:20

Nën zhurmën e mjeteve të rënda dhe betonit, një nga monumentet më të rëndësishme historike të Shqipërisë po humbet identitetin e saj.

Gjatë punimeve në kala, mjete të tonazhit të rëndë po ndërhyjnë mbi strukturat historike, ndërsa në shumë zona vihet re betonizim që, sipas qytetarëve, po zëvendëson elementët autentikë të trashëgimisë.

“Shqipëria, mesa duket, nuk ka më nevojë, sepse ka zgjedhur që dhe monumentet e kulturës t’i estaurojë me buldozerë dhe me firma ndërtimi që s’kanë lidhje me këtë punë. Është një nga monumentet unikale të Shqipërisë, të cilën dukshëm shqiptarët nuk e meritojnë dhe me atë që po bëjnë, e shkatërruan përfundimisht. Kanë mbaruar dhe fjalët, nuk ka çfarë thuhet më”, u shpreh studiuesi Auron Tare.

Gurët historikë të epokës së Ali Pashë Tepelenës, që mbajnë mbi vete shekuj histori, po rrezikojnë të dëmtohen nga ndërhyrje që më shumë ngjajnë me një kantier ndërtimi sesa me restaurim monumenti kulture!

“Do shkosh në Tepelenë. Për çfarë të shkosh? Asgjë nuk ka, përveç kalasë, e cila ka qenë jashtëzakonisht e famshme. Me atë kala mund të hante bukë gjysma e qytetit. Dukeshe shumë e trishtë, sepse shkon në Janinë, Kalaja e Ali Pashës ishte plotë. Muzeu i Ali Pashës ishte plotë. Pra Greqia, e cila e ka shpallur armik të kulturës dhe trashëgimisë greke, përfitojnë. Ne jemi totalisht të paaftë”, shtoi Tare.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore përcakton qartë se çdo ndërhyrje në monumente duhet të ruajë origjinalitetin historik dhe të kryhet me standarde të posaçme konservimi. Por pamjet nga Kalaja e Tepelenës tregojnë një tjetër realitet: beton, mjete të rënda dhe punime që kanë ngritur shqetësim.

Ndërkohë, edhe afati i punimeve rezulton i shkelur. Në tabelën zyrtare, projekti duhet të kishte përfunduar në gusht 2024, por jemi në vitin 2026 dhe ndërhyrjet vazhdojnë ende.

Top Channel