Ekskluzive në Inside Story: Motra e Nel Çamit: I penduari i drejtësisë ka fshehur masakrën në familjen time, tentuan të më rrëmbejnë fëmijën…
Ajo do të duhej të ishte fundi i një dite të zakonshme pune për Gëzim Alikaj, 52-vjeçarin nga Elbasani që punonte si shofer autobusi.
Pas orëve të gjata të aktivitetit ditor, në mbrëmje ai drejtohet pranë zyrave të një kompanie transporti, ku do të merrte një autorizim për udhëtimin e së nesërmes në Kroaci. Sapo parkon veturën, e gjen veten nën sulmin e armës.
Një goditje precize me plumb pas koke nga afër, nuk i dha asnjë mundësi shpëtimi. Alikaj humbi jetën në vend. Ai u gjet i pajetë rreth orës 20:30 – 21:00, nga personi me të cilin kishin lënë takim. Nuk dihet se sa kohë kishte aty, por dëshmitari konstatoi vdekjen e shoferit dhe njoftoi policinë menjëherë.
“I vëllai i Florenc Alikajt, Gëzimi, i ndjeri i dytë, do merrte autorizim për ekskursion, se punonte shofer autobusi e do shkonte në Kroaci, për t’i marrë një autorizim presidentit të një firme. Kur zbret ky, Riza Hasa, president firme, shikon Gëzimin, e kishin vrarë brenda në makinë”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Viktima Alikaj nuk kishte asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme. Ai bënte një jetë normale dhe punonte si shofer për të siguruar jetesën. Familja e lidh ngjarjen me vrasjen e Alfons Çakës në Barcelonë, ngjarje për të cilën ishte dënuar i vëllai i viktimës. Kjo do të ishte edhe pista kryesore e organeve hetimore…
“Mua nuk më thirri prokuroria e Elbasanit për këtë vrasjen e Gëzimit. Prokuroria mori vetëm të atin e Gëzimit, ai ishte 79-vjeç, nga veshët nuk dëgjonte mirë dhe e mbajtën thuajse 6 orë. E morën në pyetje dhe e nxorën, e çuan në shtëpi. Kjo u bë vetëm për hakmarrje ndaj Florenc Alikës”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Indiciet përbëjnë shkaqe që të rihapen çështjet dhe përherë prokuroria duhet të shtrijë hetimet për të vërtetën e plotë, pra edhe çështje që konsiderohen të lidhura”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
Sot e kësaj dite, ngjarja ka mbetur pa autor, me gjithë informacionet e forta që të afërmit kanë dhënë në Policinë e Elbasanit ndër vite. Madje, familjarët e viktimës flasin për presione të hapura fill pas krimit mafioz ndaj Gëzimit.
“Kanë ardhur edhe para shtëpisë time, te stacioni i trenit, lagjja Hekurudha, dhe kanë pyetur ku e ka shtëpinë Ladi Lytit, po tre këta persona dhe një i katërt që nuk njihej, po atë natë që vranë Gëzimin”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Për këto presione, bëjnë përgjegjës të njëjtët njerëz. Madje, Merxhani flet edhe për mesazhe të tërthorta që i kanë shkuar familjes së tij nga persona të njohur me familjen në hasmëri.
“Kam qenë një ditë në Bradashesh e më tha një miku im, ai ka vdekur sot, me mbiemër Skura: “Lad”, tha, “këto kishin lidhje familjeje me Everest Çakën e Arjan Spahiun se janë çuna teze”. “Lad, hapi sytë”, tha, “se do të vrasin çunat ty”. I thashë: “S’ka pse, se i kam rritur me edukatë”…”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Shteti ka detyrimin që, kur ka dyshime që mund të jenë ngjarje që mund të çojnë në hakmarrje, duhet kontroll territori në pika ku ndodhet konflikti i ndezur. Mospasja e mundësisë së ndërprerjes së konfliktit do të thotë që masat e shtetit s’kanë qenë në nivelin e duhur për parandalimin e këtyre ngjarjeve”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Pas vrasjes së Gëzimit, të afërmit e tjerë thuajse u larguan të gjithë nga Elbasani nga frika e hasmërisë. I vetmi që ka mbetur është dhëndri i familjes, Vladimiri, i cili prej vitesh vijon përpjekjet në dyert e drejtësisë për zbardhjen e ngjarjeve.
“Motrat e tjera ikën direkt, u bë varrimi i Gëzimit dhe ikën. Dërgoj vjehrrin, ka qenë sakat, burrë që, si ta them, kishte respekt lagjja për atë, e kam çuar 4 herë dhe e përcillnin. Kur ka ikur ditën e fundit më tha vetëm një llaf: “Lad, ty të kam në vend të Gëzimit, vetëm duhet të dalin autorët në skenë”. I thashë: “Hamza, unë po vuaj shumë me gocën tënde, ata do dalin në skenë dhe mbaroi ky muhabet, amaneti këtij…”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Top Channel