Foto/ Tragjedia në Maldive, pamjet brenda “Shpellës së Peshkaqenëve” zbulojnë terrin ku humbën jetën pesë zhytësit italianë

22/05/2026 19:08

Pamje të reja të publikuara nga brenda të ashtuquajturës “Shpella e Peshkaqenëve” në Maldive kanë hedhur dritë mbi kushtet ekstreme ku humbën jetën pesë zhytës italianë gjatë një ekspedite nënujore.

Pamjet, të publikuara fillimisht në Instagram nga organizata DAN Europe, tregojnë një sistem të ndërlikuar shpellash nënujore, ku drita depërton vetëm në hyrje, ndërsa pjesët e brendshme zhduken plotësisht në errësirë dhe në sedimente të trazuara që e bëjnë orientimin pothuajse të pamundur, shkruan Corriere.

Fotografitë janë realizuar nga zhytësi finlandez Sami Paakkarinen, pjesë e ekipit të kërkim-shpëtimit që arriti të nxjerrë trupat e viktimave nga thellësia mbi 60 metra.

Sipas ekspertëve, shpella nuk është shumë e gjatë, rreth 200 metra, por është jashtëzakonisht e vështirë për t’u naviguar. Ajo përbëhet nga një hyrje e gjerë, një korridor i ngushtë dhe një zgjerim i dytë ku dukshmëria bie pothuajse në zero.

Zhytësi Paakkarinen e përshkroi zonën si një mjedis “shumë sfidues dhe të rrezikshëm”, duke theksuar se siguria e ekipit të shpëtimit ishte prioritet absolut gjatë operacionit.

Pesë zhytësit italianë dyshohet se janë futur vullnetarisht në shpellë, por kanë humbur orientimin gjatë kthimit. Sipas hetimeve paraprake, ata nuk janë tërhequr nga rryma, por janë ngatërruar në një sistem tunelesh ku një prej daljeve dukej e mbyllur nga sedimenti, ndërsa një tjetër rezultonte pa dalje reale.

Në atë pikë, grupi besohet se ka konsumuar oksigjenin e bombolave rekreative dhe nuk ka mundur të dalë më në sipërfaqe.

Sipas raportimeve, zhytja është kryer me bombola standarde ajri, të përshtatshme për zhytje rekreative, jo për thellësi mbi 60 metra ku kërkohen përzierje speciale gazi si trimix.

Ekspertët theksojnë se në këto kushte, koha e qëndrimit në thellësi është shumë e kufizuar, vetëm disa minuta, duke e bërë çdo gabim orientimi fatal.

Trupat e katër prej viktimave u gjetën në të njëjtën zonë të shpellës, ndërsa një tjetër u nxor më herët. Autoritetet kanë sekuestruar pajisje elektronike dhe pajisje zhytjeje për hetime të mëtejshme.

Një ekip finlandez ka realizuar operacionin e nxjerrjes së trupave, duke theksuar se në fillim kishte vështirësi për t’i lokalizuar në zonën e parë të shpellës.

Ekspertët e zhytjes kanë bërë thirrje që autoritetet maldiviane të rishikojnë rregullat për zhytjet rekreative, të hartojnë saktë hartën e shpellave nënujore dhe të ndajnë qartë aktivitetet rekreative nga ato teknike.

Sipas tyre, vetëm trajnimi i duhur dhe pajisjet profesionale mund të shmangin tragjedi të ngjashme në të ardhmen.

Top Channel