Turqia i kundërpërgjigjet Izraelit pas sulmit ndaj Erdoganit: “Ne u japim zë të shtypurve”, Tel Avivi e quajti “diktator”

11/11/2026 22:58

Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë janë përshkallëzuar sërish pas deklaratave të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me gjendjen e palestinezëve në Rripin e Gazës.

Izraeli e ka sulmuar ashpër liderin turk, duke e cilësuar “diktator”, ndërsa Ankaraja është kundërpërgjigjur duke deklaruar se Erdogan u jep zë të shtypurve.

Përplasja e re diplomatike nisi pas deklaratave të Erdoganit në Konferencën e 31-të të OKB-së për Klimën, që po mbahet në Antalia të Turqisë, raporton Protothema.gr.

Presidenti turk kërkoi që Izraeli të sigurojë kontejnerë për palestinezët në Rripin e Gazës, të cilët po përballen me kushte të vështira jetese si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Deklaratat shkaktuan reagimin e menjëhershëm të Ministrisë së Jashtme izraelite, e cila publikoi një qëndrim të ashpër ndaj presidentit turk.

“Diktatori turk ka gjetur përsëri një platformë ndërkombëtare për të lëshuar propagandën e tij kundër Izraelit”, thuhet në deklaratën izraelite.

Më tej, diplomacia izraelite akuzoi Erdoganin për përhapje të asaj që e cilësoi si propagandë dhe gënjeshtra kundër shtetit hebre.

“Edhe një herë, diktatori Erdogan po përdor një forum ndërkombëtar për të promovuar fushatën e tij anti-izraelite të gënjeshtrave. Hamasi, udhëheqësit e të cilit janë të vendosur në Turqinë e Erdoganit, është përgjegjës për shkatërrimin në Gaza”, thuhet në reagim.

Izraeli gjithashtu fajësoi Hamasin për nisjen e luftës më 7 tetor dhe kërkoi çarmatimin e organizatës, duke argumentuar se kjo është një kusht për fillimin e rindërtimit të Gazës.

Përgjigjja e Ankarasë nuk vonoi. Presidenca turke reagoi duke mbrojtur deklaratat e Erdoganit dhe duke theksuar se ai kishte ngritur zërin për palestinezët që vuajnë nga veprimet e Izraelit.

“Presidenti Erdogan, në Samitin e Antalias, u dha zë atyre që janë të shtypur nga Izraeli”, thuhet në deklaratën e presidencës turke.

Ankaraja theksoi gjithashtu se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit palestinez dhe të gjithë atyre që vuajnë nga politikat e Izraelit.

Top Channel