Ambasadorët e vendeve të BE-së miratojnë dokumentin për Shqipërinë, konfirmohet data e Konferencës Ndërqeveritare

22/05/2026 16:16

Ambasadorët e 27 vendeve të BE sapo kanë miratuar draftin e përkohshëm të EUCP-së dhe është konfirmuar një Konferencë Ndërqeveritare më 26 maj, në orën 19:00.

Takimi i tetë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel.

Takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupkapitullin e parë ‘Bazat’, duke përfshirë funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.

BE pranon se Shqipëria ka konsoliduar institucionet demokratike dhe ka kuadër ligjor për zgjedhje demokratike, por kërkon përmirësime në legjislacionin zgjedhor dhe transparencën parlamentare.

Raporti thekson se Shqipëria duhet të përmirësojë ndjeshëm lirinë e medias, transparencën e pronësisë së mediave dhe mbrojtjen e gazetarëve nga sulmet. BE vlerëson bashkëpunimin e Shqipërisë me Europol, Frontex dhe shtetet e BE-së kundër krimit të organizuar.

Nga ana tjetër kërkohet rritje e rezultateve në luftën kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave, trafikut të qenieve njerëzore, armëve dhe krimit kibernetik. Raporti kërkon gjithashtu kontroll më të fortë të kufijve dhe përafrim të plotë të politikës së vizave me BE-në.

Sipas vendeve anëtare të BE në këtë raport, Shqipëria është “në rrugën e duhur” për t’u bërë ekonomi funksionale tregu, por problemet me informalitetin, pronat dhe administratën vazhdojnë të pengojnë zhvillimin.

Raporti kërkon reformim më të thellë të administratës publike, rritje të transparencës dhe përmirësim të shërbimeve digjitale për qytetarët.

Top Channel