Ekskluzive në Inside Story: Motra e Nel Çamit: I penduari i drejtësisë ka fshehur masakrën në familjen time, tentuan të më rrëmbejnë fëmijën…
Emri i dyshuar që peshonte më fort në eliminimin e Gëzim Alikajt ishte Ardit alias Arjan Spahiu. “Arjani i vogël”, siç njihej mes të fortëve, i kishte ngjitur shkallët në botën e errët dhe fuqia e tij më e madhe ishte në kohën kur u bashkua me familjen Alibej.
Ai ishte kunati i vëllait të Erion Alibejt. Ky i fundit u bë kreu i grupit pasi iu vra i vëllai Endriti në vitin 2018 në një atentat të trefishtë. Spahiu njihej si njeriu kyç i Alibejve në punët e terrenit, lidhjen e aleancave dhe qarkullimin e parave deri në vitin 2020, kur u vra në Bruksel.
Sot, Erjon Alibej ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Alibej njihej si personi më i afërt i Arjan Spahiut, por deri sot, në dosjen hetimore nuk ka asnjë moment ku të rrëfehen nga ky dëshmitar konfliktet e të ndjerit Spahiu me familjet Alikaj dhe Mahmuti në Elbasan. Familjarët që presin zbardhjen e krimeve, nuk kanë më mundësi të dëgjojnë nga Spahiu, që tashmë nuk jeton, por shpresojnë nga dëshmitë e njeriut të tij më të afërt, që sot është i penduar i drejtësisë.
“Erjon Alibej shkonte shumë me Ibrahim Çakën e Arjan Spahiun dhe Erjon Alibej duhet të flasë. Ka vetëm një mesazh nga Ladi Lytit: “Trego se kush e vrau Gëzim Alikajn”. S’jam duke ditur për hak, por çunat e Ladit s’i kanë shkelur njeriu në kallo. “O Krym, thuaj”, kështu ka thënë Ladi. “Jam 4 herë gjysh, s’kam dalë për hak'”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
Nuk dihet nëse në një moment të dytë Alibej mund të pyetet për këto krime, por sipas procedurës ligjore, bashkëpunimi me drejtësinë konsiderohet i plotë kur rrëfen edhe ngjarje kriminale për të cilat nuk pyetesh. Pra, ngjarje për të cilat prokurorët mund të mos kenë indicie, i penduari duhet t’i rrëfejë.
“Një bashkëpunëtor drejtësie që selekton të dhënat para gjykatës s’është më bashkëpunëtor drejtësie, por bashkëpunëtor i një krimi të ardhshëm. E vërteta dhe sinqeriteti janë baza në një marrëveshje mes organit të akuzës dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë’, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
“Çdo deklaratë që vë në dyshim thëniet e një dëshmitari drejtësie duhet verifikuar, që prokuroria të verifikojë elementët e nenit 37/A të Kodit të Procedurës, a ka qenë i vërtetë ky bashkëpunëtor drejtësie”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Familja Alikaj e konsideron me mjaft rëndësi çdo informacion që mund të vijë nga Alibej për zbardhjen e krimeve në seri. Ata i bëjnë thirrje Prokurorisë që të nxjerrë të gjithë të vërtetën nga i penduari.
“Unë dua vetëm drejtësi nga shteti shqiptar, meqë Florenc dhe Gëzim Alikaj duhet t’i dalë një dosje që kush i vrau. Këtë vetëm një e di, ky është personi që SPAK e ka si të penduarin nga grupi i Ibrahim Çakës e Arjan Spahiut. Ky quhet Erjon Alibej dhe ky i di të gjithë muhabetet e të dy vëllezërve, se kanë edhe lidhje familjare, po kanë shkuar më shumë se vëllai”, u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Ky lloj statusi bashkëpunëtori të drejtësisë, kushti kryesor është sinqeriteti dhe e vërteta. Nëse këto thyhen, atëherë prishet marrëveshja. Vetë Kodi i Procedurës e thotë që nëse nuk tregon gjithë të vërtetën dhe nuk është i sinqertë, bashkëpunëtorit i hiqet statusi”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
“Siç e merr këtë status e lidh marrëveshjen, edhe mund ta humbasësh e marrëveshja mund të prishet. Arsyeja është nëse bën deklarata të rreme apo nuk thua gjithë të vërtetën, apo i shtrembëron detajet e çështjes”, u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
“Humbja e statusit sjell disa probleme. E para, i hiqet mbrojtja e posaçme. E dyta, shkon e dënohet për veprat penale për të cilat ka përfituar nga uljet. Gjithashtu mund dhe duhet të dënohet për dhënie dëshmie të rreme para oficerit apo gjykatës”, u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Top Channel