Franca e izoluar deri më 11 maj/ Vendimi u dha nga Macron pasi vendi shënoi 15 mijë të vdekur

14/04/2020 01:06

Me gati 15 mijë të vdekur nga koronavirusi, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi në fjalimin e tij të paralajmëruar nga Elizeja se masat e kufizimit të lëvizjes në vend, do të zgjaten deri në 11 maj.

Paskësaj date shkollat, gjimnazet e universitetet do të hapen, ndërsa baret, restorantet dhe kinematë do të qëndrojnë të mbyllura. Vetëm pak minuta përpara fjalimit të kreut te shtetit francez, autoritetet vendase përditësuan bilancin e vdekjeve dhe rasteve të reja.

Franca shënoi 574 vdekje të tjera brenda 24 orëve, por numri i pacientëve në terapi intensive ka pësuar rënie për të pestën ditë me radhë, duke shkuar në 24. Ministria e shëndetësisë tha se këto shifra dëshmojnë që vendi është në “fazën e lartë” të epidemisë. Ky ishte fjalimi i tretë i Macronit mbi këtë temë që prej fillimit të krizës së koronavirusit.

Franca është në izolim me shpresën se kështu do të ndagalësohet përhapja e epidemisë. Zyrtarët lejojnë vetëm lëvizjet thelbësore që duhet të justifikohen me një letër të firmosur. Ekspertët francezë kanë paralajmëruar se situata mbetet serioze sidomos në zonën e Ile-de-France, dhe Macron u përpoq të tregonte se një zbutje tani e kufizimit të lëvizjes, do të ishte katastrofike.

Top Channel