Suedia, për dallim nga pjesa tjetër e Evropës, po përballet me COVID-19, pa izolim të shkallës së gjerë. Aty jeta po vazhdon në mënyrë pothuajse normale.

Këtë fillim pranvere, pamjet nga Suedia duken ndryshe nga ato të shumicës së vendeve tjera. Në kafene dhe bare, kafeja po servohet dhe tapat e birrave dëgjohen tek hapen. Çdo mëngjes, fëmijët shkojnë në shkolla derisa palestrat dhe rrugët me dyqane përreth, nuk janë të zbrazura sikurse në vendet tjera të kontinentit. Megjithatë, lëvizjet kanë rënë ndjeshëm në dy javët e fundit.

Ndërsa shumica e njerëzve po përgatiten të festojnë Pashkët në shtëpi, apo në vilat e tyre në fshat, ky vend nordik nuk po zbaton një izolim të plotë sikurse vendet tjera. Rregullat e vetme të detyrueshme janë mbyllja e shkollave të mesme dhe universiteteve, ndalimi i takimeve të më shumë se 50 personave (nga 500 para dy javësh) dhe një urdhër që detyron baret dhe restorantet t’iu shërbejnë vetëm klientëve të ulur në mënyrë që të shmangin tubimet. Nuk shikon njerëz me maska në fytyrë dhe kufijtë e vendit mbeten të hapura edhe pse fqinjët i kanë mbyllur të vetët.

Arkitekt i kësaj politike të Suedisë është, Anders Tegnell, shefi i Agjencisë për Shëndet Publik. Ai ka vlerësuar se është më mirë të presësh sesa të nxitosh të zbatosh një izolim mbarëkombëtar. Ndërsa ka pasur edhe zëra kundërshtues, vlerësimet ndaj qeverisë dhe kryeministrit janë rritur në mënyrë drastike javët e fundit. Në shikim të parë, shifrat e të infektuarve dhe vdekshmërisë duken të arsyeshme në krahasim me disa vende tjera evropiane. Në Suedi që nga 9 prilli janë regjistruar pak më shumë se 9,000 raste të të infektuarve dhe rreth 800 të vdekur. Nëse bëjmë një krahasim me Çekinë, me pothuajse të njëjtën popullatë me të, dhe më afër vatrave të nxehta në Evropë, atje janë regjistruar pak më shumë se 5 mijë raste dhe 104 viktima. Pra 8 herë më pak se suedia. Dhe në krahasim me tre fqinjët e saj nordikë, që ashtu si cekia, kanë zgjedhur masat kufizuese si pjesa tjetër e kontinentin, numri i viktimave në suedi është më i lartë se në të tre vendet së bashku pavarësisht se popullsia e danimarkës, finlandës dhe norvegjisë, është mbi 16 milionë banorë, pra më e madhe se 10 milionë banorët e suedisë. Pra, në përfundim, është e vësjtirë të argumentohet, nëse rruga që suedia ka zgjedhur, përbën apo jo një model që duhet ndjekur.

Top Channel