Janë tashmë më shumë se 21 mijë viktimat e koronavirusit në botë sipas të dhënave më të fundit të universitetit John Hopkins, të raportuara nga CNN. Ndërsa të prekurit nga infeksioni janë më shumë se 471 mijë.

Pandemia e koronavirusit vazhdon të zgjerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Viktimat atje kanë shkuar në 1031 ndërsa rastet pozitive janë 68572. Në orët e fundit është regjistruar një shpërthim i vërtetë rastesh pozitive veçanërisht në shtetin e Nju Jorkut; mbi 30 mijë, thuajse gjysma e totalit në të gjithë shtetet e bashkuara. Viktimat janë 285, nga të cilat 192 vetëm në Nju Jork, që është edhe zona më e goditur.

Covid 19, ka prekur edhe pentagonin, ku një marins, i vendosur në shtabin qendror në Uashington ka rezultuar pozitiv ndaj testit. Asnjë viktimë nuk është e pranueshme, por nuk mund të nënshtrojmë të gjithë vendin para testeve – thotë presidenti Donald Trump. Nuk dua ti bëj testin 350 milionë personave- ka thënë ai duke nënvizuar se SHBA po i menaxhon testet më mirë se vende të tjera, madje më mirë edhe se Koreja e Jugut. Ai ndërkohë ka akuzuar OBSH se është shumë e orientuar në mbështetje të kinës. Trump ka marrë nga senati dritën jeshile për superplanin e ndihmës prej mbi 2 miliardë dollarësh për të përballuar pasojat ekonomike të koronavirusit. Masa është miratuar në unanimitet dhe tani është radha e dhomës së deputetëve.

“Jam i sigurt se do ta mundim por duhet të përgatitemi me të vërtetë edhe për një cikël tjetër – thotë ndërkohë virologu i task forcës së shtëpisë së bardhë, Antoni Fauci, duke nënvizuar se koronavirusi mund të jetë sezonal apo ciklik dhe si pasojë do të kthehet edhe nëse emergjenca aktuale do të kapërcehet.

Ndërkohë në kinë, për të disatën ditë radhazi nuk është regjistruar asnjë rast i ri lokal koronavirusi sidoqoftë vendi po përballet me raste të reja të importuara. Në Korenë e Jugut, janë regjistruar 104 raste të reja, duke e çuar totalin në 9241. Koronavirusi ka mbërritur edhe në Venezuelë me zëvendëspresidentin që ka bërë apel për të ndaluar sanksionet ndaj vendit. Në brazil ndërkohë, presidenti Bolsonaro është hedhur kundër kryebashkiakëve që kanë marrë masa për të mbyllur qytetet e tyre, duke e quajtur këtë një krim. Bolivia ndërkohë ka mbyllur kufijtë dhe është vendosur në karantinë. Qeveria iraniane në anën tjetër ka ndaluar hyrje dhe daljet nga një qytet në tjetrin, me shifrat zyrtare që flasin për 2077 viktima atje dhe me mbi 27 mijë të prekur.

Top Channel