Koronavirusi vazhdon të kërcënojë globin me 420 mijë raste të raportuara tashmë në total dhe rreth 20 mijë viktima.

Shifrat janë shqetësuese, ndërsa vende të ndryshme të botës po ndërmarrin masa drastike në përpjekje për të ndalur vrapin e virusit. Rreth një të tretës së popullatës së botës, 2.5 miliardë njerëzve, iu janë kufizuar lëvizjet si pasojë e pandemisë. Për 21 ditët e ardhshme, 1.3 miliardë banorët e Indisë e kanë të ndaluar të dalin nga shtëpitë e tyre. Por, korrespondentët atje thonë se ka konfuzion për mënyrën se si njerëzit do të mund të blejnë ushqime apo gjëra të tjera të domosdoshme…shifrat atje po rriten në mënyrë drastike, me një shpërthim prej më shumë se 500 rastesh menjëherë.

Edhe Libia, ndër vendet e vetme në botë që nuk ishte prekur nga virusi, tashmë ka konfirmuar rastin e tij të parë. Vendi afrikano verior ka qenë i mbërthyer nga lufta që kur u rrëzua diktatori Muammar Gaddafi në 2011 dhe pikërisht luftës dhe izolimit i ishte atribuar deri më tani mungesa e Covid 19 atje.

Italia, vazhdon të kryesojë për sa i takon numrit të viktimave me 6820 në total. Numri i viktimave në Itali, është madje më shumë se gjysma e atyre të regjistruar në provincën Hubei në kinë, me 3160. Kryeministri Giuseppe Conte ka prezantuar masat e reja që përfshijnë ndëshkime të pashembullta për shkeljen e normave për parandalimin e koronavirusit.

Gjoba nga 400 deri në 3 mijë euro për ata që nuk respektojnë masat për kufizimin e virusit dhe një dënim maksimal me 5 vite burg për ata që janë pozitivë dhe thyejnë karantinën. OBSH ka thënë ndërkohë se kulmi i epidemisë në vend do të arrihet javën e ardhshme.

Edhe në Spanjë, vazhdon të rëndohet bilanci. Janë 2937 viktimat e koronavirusit, sipas të dhënave të mëngjesit të sotëm nga El Pais. Në vend, thotë El Mundo, rastet e infektimit janë 41969. Zona më e goditur është ajo e Madridit. Qeveria spanjolle i ka kërkuar NATO-s ndihmë humanitare. Në Britaninë e Madhe, sekretari i shëndetit Matt Hancock, tha se britanikët duhet të dalin nga shtëpia për të shkuar në punë vetëm në rastet kur kjo është absolutisht e nevojshme dhe nuk mund të punojnë nga shtëpia. Imazhet tregonin së fundmi njerëzit në Londër të shtrënguar në vagonët e metrosë pavarësisht paralajmërimeve se duhet të qëndrojnë 2 metra në distancë.

Top Channel