Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se reciprociteti i plotë, politik, ekonomik dhe tregtar do ta zëvendësojë tarifën 100 përqind ndaj Serbisë. Kjo sipas tij nuk do t’i kthejë raportet mes shteteve në marrëdhënie asimetrike, por në avancim fqinjësor bilateral.
Shefi i ekzekutivit kosovar këtë e pohoi në prani të shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ku mbajtën një konferencë të përbashkët, e ku u theksua përkushtimi drejt rrugëtimit evropian të Kosovës.
“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë. Edhe për shkaqe historike dhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë se jemi këtu ku jemi, ku si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet, politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100 përqind. Ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti dhe dinjiteti në parimin i cili më së shumti njihet në vlerën e tij në raporte fqinjësore bilaterale, e ky është reciprociteti. Edhe LDK edhe LVV edhe zonja Osmani edhe unë pra mbi 60 përqind të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve kanë qenë me parimin e reciprocitetit. Unë besoj se edhe ata që janë sot në opozitë ose ata që nuk na votuan, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë dakord”, tha Kurti.
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se BE do të vazhdojë të përkrah Kosovën me projekte të reja, por sugjeroi që të largohet tarifa 100 përqind ndaj Serbisë dhe e rëndësishme për ta është rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Konsiderojmë se tarifa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshje të tjera si CEFTA dhe të tjera në të cilat është Kosova. Kemi dërguar letra të ish-kryetarit Junker në këtë drejtim. Tani po presim që qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do të trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashikojmë se cila do të jetë zgjidhja vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë. Për ne është shumë me rëndësi që dialogu me Serbinë të fillojë”, tha ajo.
Kjo është dita e dytë e punës e kryeministrit, Albin Kurti, i cili vazhdimisht ka pritur në takime ambasadorë të huaj të akredituar në Prishtinë.
Top Channel