Vrau dhëndrin e tij me armën që e mori në çantën e së bijës, GJL rrëzon dënimin me burg përjetë për Mexhit Picarin, do rigjykohet nga Apeli

01/07/2026 14:44

Mexhit Picari i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dhëndrit të tij Kudret Saliaj, do të rigjykohet sërish në Gjykatën e Apelit me një jetë trupë gjykuese.

Kjo pasi Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e 12 korrikut 2023 të Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Ishte avokati i tij i cili bëri rekurs, Adriatik Cama, duke kërkuar që dhe ish-bashkëshortja e viktimës, të dënohej për bashkëpunim në vrasje.

Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, ndërsa Dhurata Saliaj ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për veprën penale të krijimit të kushteve për kryerjen e vrasjes, duke rrëzuar akuzën për bashkëpunim në vrasje.

Por si ndodhi ngjarja, e shënuar në Qershor të 2021?

Autori dhe vajza kanë shkuar në lokalin ku ishte ulur viktima dhe e kanë vëzhguar për rreth 20 minuta. Nga çanta e të bijës, ai ka marrë armën.

Në tavolinë me viktimën ishte avokati i çështjes, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur.  Autori dhe vajza e tij, kanë qenë në lokal në pritje të seancës gjyqësore.

Taksisti A.I., i pyetur nga grupi hetimor ka zbuluar bisedën që Dhurata Saliaj ka bërë me babanë e saj në telefon para vrasjes.

“Një vajzë e re rreth 30 apo 40 vjeçe ngriti dorën afër ‘Vasil Shantos’ dhe më kërkoi ta çoja deri në Vorë. Ajo foli në telefon dhe tha ‘Baba , bëhu gati ndërrohu, merr rrobat e punës se po vij me taksi’”, u shpreh taksisti.

Pas krimit, kur Dhurata dhe i ati u larguan nga lokali ajo hodhi në kokë një kapuç të zi, dhe më pas, të dy babë e bijë u larguan veç e veç me taksi.

Sipas të dhënave, Mexhit Picari ka gënjyer në dëshminë e tij dhënë në polici.

Sipas tij, ka qenë viktima Kudret Saliaj që e ka ofenduar dhe për këtë arsye autori e ka qëlluar atë. Një ditë para vrasjes, rezulton se viktima ka pasur një debat të ashpër me ish bashkëshorten e tij Dhuratën.

Fillimisht u raportua se në tavolinën e viktimës ka qenë edhe djali i ish çiftit Saliaj, por nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar kështu.

16-vjeçari është pyetur nga policia dhe ka deklaruar përpara grupit hetimor, se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje. Madje ai ka shtuar se nëna e tij, Dhurata Saliaj ushtronte dhunë ndaj tij, motrës dhe vëllait të tij të vogël.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se Mexhit Picari është ngritur dhe ka qëlluar ndaj ish dhëndrit të tij, Kudret Saliaj, por ka lënë të plagosur edhe ish prokurorin Adriatik Cama. Ky i fundit ka marrë një plumb në pjesën e djathtë të kraharorit.

 

Top Channel