Kosova humb 40 milionë euro nga mungesa e institucioneve, Prishtina nuk përfiton nga plani i rritjes së BE

01/07/2026 19:57

Kosova do humbë të paktën 40 milionë euro nga Plani i Rritjes për shkak të moszbatimit në kohë të agjendës së reformave. 

Nga 13 hapa që duheshin përmbushur nga institucionet vendore deri më 30 qershor, 6 prej tyre nuk janë zbatuar si pasojë e mungesës së institucioneve funksionale.

Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian deklaroi se shuma totale e këtyre mjeteve do të përcaktohet nga Komisioni Evropian.

“Kostoja e përllogaritur e mosarritjes së realizimit në kohë të këtyre gjashtë hapave llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”, tha Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me BE-në.

Zulfaj ka shtuar se pesë prej hapave të moszbatuar kërkonin miratimin e kuvendit e një prej tyre nuk mund të aprovohej nga qeveria në detyrë. Kësisoj, ai ka akuzuar opozitën për bllokadë në kohën kur ligjet u sollën në parlament.

“Nuk arritën të kaloheshin në seancë plenare ku kërkohej kalimi në procedurë të përshpejtuar e që kërkonte 2/3 e të pranishmëve. Opozita pat qëndru në sallë për të pamundësuar arritjen e 2/3-ve”, tha ai.

Kryenegociatori i Kosovës me BE-në ka njoftuar po ashtu se deri më 15 korrik, vendi ka kohë t’i drejtohet me kërkesë Komisionit Evropian për lirimin e mjeteve që kanë të bëjnë me hapat që janë zbatuar deri tani, derisa institucioni në fjalë ka kohë 90 ditë për përgjigje.

Ligji për energji dhe energji elektrike si dhe aktet nënligjore, sistemi i kontrollit të ndihmës shtetërore, ligji për inovacion, legjislacioni kornizë dhe aktet nënligjore lidhur me falimentimin dhe paaftësinë paguese, pako e ligjeve për reformën në drejtësi, ligji për KPK-në, KGJK-në, akademinë e drejtësisë si dhe strategjia për luftimin e krimit të organizuar janë hapat e pa përmbushur të agjendës së reformave për të cilat Kosova kishte kohë shtesë deri në fund të këtij qershori, pikërisht për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

Ndërkohë, deri në fund të vitit 2026 Kosova duhet të zbatojë edhe 61 hapa të tjerë për të përfituar mbi 440 milionë euro nga Plani i Rritjes.

 

 

Top Channel