Profesori amerikan Daniel Serwer, një nga njohësit më të mirë të çështjeve ballkanike, ka shprehur keqardhje për mbështetjen që i kishte dhënë krijimit të Dhomave të Specializuara në Hagë e deklaron tani se paraburgimi i zgjatur i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë i pajustifikuar.

Serwer tha për mediat në Prishtinë se nuk mund të parashikojë vendimin që do të marrë gjykata, por kritikoi kohëzgjatjen e paraburgimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së, si para nisjes së gjykimit, ashtu edhe gjatë zhvillimit të procesit.

Sigurisht që nuk e kam idenë se çfarë vendimi do të marrin. Ajo që do të thosha është se pendohem që e kam mbështetur krijimin e këtyre Dhomave të Specializuara, sepse mendoj se paraburgimi i gjatë, si para fillimit të gjykimit ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor, ka qenë i pajustifikuar sipas mendimit tim. Nuk di ndonjë rrethanë që do ta justifikonte këtë, por nuk jam jurist dhe do të më duhet të pranoj çfarëdo vendimi që ata të marrin“, tha ai.

Duke folur për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Serëer tha se, bazuar në njohuritë e tij, ai nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në. “Ndjenja ime e fortë, veçanërisht sa i përket Hashim Thaçit, sepse e njoh  dhe e di më mirë rolin e tij sesa të të tjerëve, është se ai nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në. Prandaj, të konsiderohet ai përgjegjës mbi këtë bazë do të ishte një gabim i rëndë“, u shpreh Serwer.

Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 pas dritës jeshile nga Kuvendi i Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë në Hagë me staf ndërkombëtar.

 

Top Channel