Kalendari më i vjetër hebraik

Nga Monika Stafa

Cili është identiteti hebraik dhe përse ende historia e kërkimit të tij mbetet ende një mister? 

Udhërrëfyesi më i mirë për të ndërmarrë një udhëtim kronologjik mbi të dhënat e para rreth identitet hebraik është Bibla. Ngjarjet zhvillohen sikur çdonjëri prej 5 librave përbërës të saj përshkruajë çdo fazë të historisë reale të popullit hebre. Por kjo nuk do të thotë që Bibla të lexohet si një tregim i fshehtë i profecive historike. Fati i ngjarjeve të jetuara nga popullsia hebraike, më shumë se gjithçka tjetër, tregon se njerëzit mbeten të lirë të bëjnë të mirën ose të keqen.

Identiteti i popullit hebre fshihet në emrin e tij dhe i referohet pikërisht udhëtimit të Ever-it. Këtë emër, kuptimi i të cilit ishte “nomad”, e mbante njëri nga nipërit e Noes, stërgjyshi i Abrahamit, njëkohësisht stërgjyshi më i largët i hebrenjve. Ever-i pak më vonë u quajt Ivri, d.m.th. “hebre”. Etimologët shpjegojnë, se nisur nga emri që mbante, shpjegohet dhe kuptimi i fjalës “hebre”, që nënkuptonte një kod gjenetik të historisë së tij. Hebreut i është dashur gjithmonë të udhëtojë, të tregtojë, të komunikojë, të përcjellë mesazhe. Kjo është arsyeja pse rrëfimi biblik nis me një udhëtim.

Por, përcaktimi i identitetit hebre mbetet ende një koncept i vështirë për tu përkufizuar. Studimet e autorëve të huaj nuk kanë dhënë një tezë përfundimtare të saktë lidhur me atë çka përfaqëson populli hebre. Spinoza në Traktatin e tij teologjik-politik në vitin 1670 shkruan se është e qartë si drita e diellit, se nuk është aspak Moisiu ai që ka shkruar Pentatekun, por një tjetër shkrimtar shumë shekuj pas Moisiut. Ai quhet Flavius Jozefi i cili arriti të na lerë një vepër të tij me titullin “Antiquites Judaiques”, në vitin 93 të erës sonë.

Jozefi ka dashur të lartësojë statusin e popullit hebre nëpërmjet tregimit për origjinën e tyre antike. Këtij autori hebre, besimtar i fundit i shek. I pas Krishtit i dukej logjike që studimin e tij gjenealogjik për hebrenjtë e kohës së tij ta përziente me historinë e Adamit e Evës dhe pasardhësve të tyre po ashtu edhe me përshkrimin e Përmbytjes dhe bëmat e Noes. Në vijim të tregimit të tij, ndërhyrje hyjnore dhe veprimtari njerëzore ndërthuren në mënyrë harmonike, pa asnjë ndarje apo ndërhyrje të pavend nga ana e tij. Shkrimi i tij me prirje misionare ishte i frymëzuar nga monoteizmi që kishte vërshuar në universin kulturor të botës së madhe pagane.

Megjithëse monoteizmi hebre u ngrit në rrënjët e një miti historiko-teologjik, gjatë periudhës së gjatë të Mesjetës vihet re mungesë e theksuar e botimeve mbi çështjen hebraike. Por me fillim e erës së re, e ashtuquajtura vërtetësi hyjnore u ul nga piedestali dhe sundimi i të vërtetës së shenjtëruar u shndërrua në fushëbetejë të tregimeve biblike që tregonin aventurat e njerëzve. Por si ndodhi që mrekullitë e frymës hyjnore u perceptuan papritur si jo të vërteta, ndërkohë që ana e tyre njerëzore ishte sajuar si një realitet historik? Nuk duhet të harrojmë se “e vërteta” biblike e pastër nuk ishte një tregim universal i historisë së njerëzve por kronika e një populli të shenjtë. Pikërisht ai, nëpërmjet leximit modern e laik të Librit të Shenjtë, ishte bërë “kombi i parë” i historisë së njerëzimit.

Arratisja e hebrenjve e udhëhequr nga Moisiu përmes Detit të Kuq

Megjithëse monoteizmi hebre ka lindur në themelet e një mitihistoriko – teologjik, asnjë historiografi hebreje nuk është e dukshme gjatë periudhës  së gjatë që quhet Mesjetë. Madje dhe traditat e pasura me kronika fetare nuk e kanë ngacmuar kuriozitetin e rabinizmit dhe me përjashtim të disa rasteve të shkëputura, ai  e ka kundërshtuar prerë vështrimin mbi të kaluarën e popullit hebre, e afërt apo e largët qoftë ajo. Kronologjia jo fetare, e karakterizuar nga vazhdimësia e ngjarjeve nuk kishte të bënte me periudhën e eksodit, e cila prirej drejt çastit aq shumë të pritur, kur mendohej se do të hapej porta e ngushtë që do të lejonte kalimin e Mesisë. Dhe vetëm pas 1600 vjet më pasteologu hygenot Zhak Basnazh me origjinë nga Normandia, i vendosur më pas në Roterdam, vendosi të vazhdojë veprën e historianit të lindur në Jude që kish mërguar më pas në Romë. “Historia e besimit fetar të hebrenjve që nga koha e Jezu Krishtit e deri tani”, u shkrua në fillim të shek. XVIII nga ky protestant i ditur, me qëllim që të godiste Kishën katolike. Edhe këtu shkrimi i të kaluarës historike ishte i varur direkt nga qëllime morale dhe fetare dhe nuk ishte produkt i një pune kërkimore e studimore në kuptimin modern të fjalës. Nuk ka pasur në të, thuajse asnjë referencë të dokumenteve hebreje.

Historia e besimit fetar të hebrenjve që nga koha e Jezu Krishtit, u shkrua prej tij në fillim të shek. XVIII, duke patur si qëllim goditjen e Kishës Katolike. Ajo që vihet re tek vepra e Zhak Basnazh është mungesa e elementit të vazhdimësisë mes hebrenjve të lashtë dhe komuniteteve hebraike të kohës së tij. Për të, Testamenti i Vjetër u përkiste pasardhësve të “bijve të Izraelit”, një koncept që përfshinte po aq, në mos më shumë, të krishterët sa edhe hebrenjtë, sepse “Izraeli i vërtetë” për atë ishte pikërisht kristianizmi. Për Basnazhin, ata ishin viktimat e privilegjuara të një papati të korruptuar. Vetëm përparimi i reformës së ndritur protestante do të çonte në shpëtimin final, pra në ditën vendimtare kur do të realizohej konvertimi i tyre i shumëpritur në kristianizëm.

Me fillimin e emancipimit hebraik kryesisht në kohën e Iluminizmit dhe sidomos në shek. XIX u zhvillua një vetëdije e re mbi identitetin hebraik. Shumë hebrenj kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore e shihnin veten si francezë, gjermanë, anglezë etj., ndërsa si besimtarë vazhdonin të kryenin ritet e fesë hebraike. Duket qartë se në këtë periudhë një inteligjencë e re që vinte nga një traditë e hershme e historisë së hebrenjve po ngrihej e gjallëruar madje nga një mënyrë e re këndvështrimi. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XIX, vet imazhi i intelektualëve hebrenj evropianë varej kryesisht nga fusha kulturore dhe fetare.

Me ardhjen e një grupi të madh hebrenjsh nga Evropa Lindore në atë Perëndimore dhe Qendrore (Gjermani dhe Austri) filloi të rritej shumë antisemitizmi. Studiuesit shkruajnë se kjo erdhi si rezultat i numrit të madh të hebrenjve që u vendosën në këto territore por edhe i bizneseve të fuqishme që ata ngritën atje me idenë e shfrytëzimit të tregut. E fortë ishte gjithashtu dhe këmbëngulja e hebrenjve për të imponuar jo vetëm ritet fetare por dhe ritualet e tjera që kishin të bënin me jetën dhe identitetin e tyre si komb, p.sh. festat si Shabbat-i, Hannuka (festivali i dritave), dita e pagëzimit, zakonet dhe ligjet e tyre mbi martesën dhe divorcin, vdekja dhe hidhërime të tjera që ndodhin mes një fisi. Kjo shkaktoi një ksenofobi ndaj tyre, çka solli edhe shpërthimin e protestave ndaj pranisë së hebrenjve.

Studiuesi Simon N. Herman bën në mënyrë të qartë dallimin mes identifikimit (procesit nëpërmjet të cilit individi e sheh veten si pjesë të komunitetit hebre) dhe identitetit (asaj që të jesh hebre në tërë kuptimin e jetës së një individi, në gjithë përmbajtjen e saj). Ndërsa të tjerë e kanë parë identitetin hebre si një fenomen shumëdimensional të përbërë nga sjelljet rituale, pjesëmarrjet institucionale, marrëdhëniet sociale, marrëdhëniet me Izraelin, besimet fetare, njohuritë për judaizmin dhe filantropinë.

Meqenëse prejardhja biologjike dhe familjare është shumë e rëndësishme për identitetin e shumicës së hebrenjve, identiteti i të konvertuarve paraqet një fenomen të veçantë, i cili lidhet dhe me të ardhmen e besimit që do të përqafojnë fëmijët. Në epoka të ndryshme ka pasur shumë individë që janë konvertuar në hebrenj, si p.sh. grekët nga Siria Jugore, fiset arabe veriperëndimorë në kohët paraislamike, evropianë dhe individë që për arsye kulture konvertoheshin në judaizëm. Këta njiheshin me termin grekë “proselitë” që do të thotë i huaj dhe me termin hebre “gerim”. Konvertimi në judaizëm bëhej kryesisht nga popullsitë johebraike në Palestinë. Shtresa shoqërore nga më të ndryshmet konvertoheshin në judaizëm ndërsa edhe më i madh ishte numri i të konvertuarve në qendra si Antiokia, Aleksandria por dhe Roma. Konvertimi vazhdon ende edhe sot e kësaj dite në raste martesash apo ditëlindjesh.

Identiteti hebre në vazhdimësi mbetet një çështje komplekse, që u komplikua nga procesi që njihet me emrin “Aliya”. “Aliya” lidhet me kthimin e hebrenjve të diasporës në tokën e Izraelit, veprim ky që përbën një nga parimet themelore të ideologjisë sioniste. Por së bashku me emigrantët hebrenj nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, emigruan edhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë (rreth 30%) që nuk ishte hebrenj, por që identifikoheshin si të tillë.

Në vitin 1958 kryeministri izraelit David Ben-Gurion mblodhi rreth 50 intelektualë për t’i pyetur lidhur me identitetin hebre. Në vitin 1989, SHBA ndryshoi politikën e saj të emigrimit duke i dhënë hebrenjve të ish-Bashkimit Sovjetik statusin e refugjatit pa asnjë kusht. Në të njëjtin vit kryeministri Mikail Gorbaçov i dha fund kufizimeve të emigracionit hebre, ndërkohë që vetë ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1991 u shpërbë. Që atëherë rreth 1 milion rusë emigruan në Izrael. Pjesë e tyre ishin edhe 240.000 emigrantë të cilët duke iu referuar Ligjit Rabin nuk mund të konsideroheshin hebrenj por mund të merrnin të drejtën e qytetarisë hebraike në bazë të Ligjit të Kthimit. Vështirësitë u shtuan sidomos nga Perëndimi, atëherë kur u rrit numri i martesave dhe statusi i hebrenjve u pranua si kriter nga degë të ndryshme të Judaizmit.

Sipas prof. Jonathan Webber, Holokausti gjithashtu pati një influencë në çështjen e identitetit hebre. Parë me sytë e Hitlerit, të tjerë studiues kishin një pikëpamje krejt tjetër. Nëse Hitleri identifikonte dikë si hebre, edhe anëtari tjetër i familjes, gruaja apo burri ishte i tillë.

Në përfundim, mund të themi, se hebrenjtë ndonëse jetojnë në pjesë të ndryshme të botës dhe manifestojnë sjellje, pikëpamje dhe perspektiva të ndryshme mendimi ata kanë të përbashkët thelbin, trashëgiminë historike dhe njerëzore të tyre.

*Shkëputur nga libri i autores “Hebrenjtë në Shqipëri”

 

Top Channel