Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar raportin e 2025, ku përgjatë këtij viti janë regjistruar 27049 procedime në rang vendi.
Në raportin e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, sipas prokurorive të shkallës së parë, numri i procedimeve penale të regjistruara në vitin 2025 është si vijon:
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat janë regjistruar 676 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër janë regjistruar 644 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës janë regjistruar 2573 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan janë regjistruar 1511procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier janë regjistruar 1915 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër janë regjistruar 774 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë janë regjistruar 2023 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës janë regjistruar 662 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë janë regjistruar 1349 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë janë regjistruar 1145 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër janë regjistruar 1976 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë janë regjistruar 9904 procedime penale;
Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë janë regjistruar 1897 procedime penale.
Ndërkohë, në raport thuhet se gjatë vitit 2025 është përdorur përgjimi i komunikimeve elektronike nga prokurorët në fazën e hetimeve paraprake si mjet për sigurimin e provës në 356 procedime penale.
Raporti specifikon se janë realizuar përgjime për 1771 pajisje fundore në përdorim të 1642 subjekteve ndaj të cilëve ishte lejuar përgjimi.
Në total janë ekzekutuar 822 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata dhe 406 urdhra/autorizime të prokurorit.
Në rekomandime, me qëllim përmirësimin e strukturave dhe kapaciteteve institucionale e profesionale si dhe rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së prokurorisë, Prokuroria shprehet se do të synohen këto drejtime prioritare:
1. Forcimi i kapaciteteve profesionale dhe specializimi i mëtejshëm i prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, në përputhje me kompleksitetin në rritje të kriminalitetit, përmes programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të përvojave me partnerët ndërkombëtarë, me fokus të veçantë në hetimet financiare, krimet kibernetike, krimet zgjedhore dhe format e reja të kriminalitetit.
2. Përmirësimi i menaxhimit të organizimit të brendshëm të punës, me synim uljen e mbingarkesës, rritjen e eficiencës në trajtimin e çështjeve dhe garantimin e një shpërndarjeje të balancuar të ngarkesës së punës ndërmjet prokurorëve, duke shfrytëzuar gjithashtu mundësitë që ofron teknologjia dhe ekspertiza institucionale dhe e jashtme.
3. Ushtrimi efektivitet i kompetencave drejtuese të drejtuesit të prokurorisë në funksion të përmirësimit të veprimtarisë hetimore dhe ndjekjes penale, përmes kërkimit të informacionit për ecurinë e procedimeve, ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve në luftën kundër kriminalitetit, si dhe dhënien e udhëzimeve jo të detyrueshme për çështje konkrete në përputhje me ligjin.
4. Vijimi i bashkërendimit me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Shkollën e Magjistraturës, për planifikimin në kohë të plotësimit të vakancave në përputhje me nevojat e sistemit dhe parashikimeve ligjore.
5. Forcimi i veprimtarisë mbikëqyrëse për zbatimin e udhëzimeve të përgjithshme të detyrueshme dhe e bashkëpunimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë në drejtim të koordinimit të aktiviteteve, shkëmbimit të informacionit, identifikimit të shkeljeve disiplinore apo etike dhe adresimit të problemeve të performancës në zyrat e prokurorive.
6. Rritja e mbikëqyrjes mbi ngarkesën, performancën dhe disiplinën në punë të oficerëve të policisë gjyqësore gjatë veprimtarisë së tyre, edhe në zbatim të Udhëzimit të Përgjithshëm nr. 10/2021 “Për ushtrimin e funksionit të monitorimit në sistemin e prokurorisë dhe bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe ligjore”, i ndryshuar, me qëllim administrimin më efektiv të punës së tyre në mbështetje të veprimtarisë së prokurorëve.
7. Vijimi i masave për zhvillimin dhe implementimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve, si dhe standardizimin e raportimit statistikor.
8. Forcimi i bashkërendimit ndërinstitucional me Komisionin e Policisë Gjyqësore dhe me agjencitë ligjzbatuese, për rritjen e kapaciteteve profesionale të oficerëve të policisë gjyqësore në strukturat përkatëse të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore, me synim përmirësimin e cilësisë dhe efektivitetit në kryerjen e hetimeve në drejtimet prioritare të luftës kundër kriminalitetit.
9. Sigurimi i bashkëpunimit, koordinimit dhe shkëmbimit të informacionit me institucionet që kanë shërbime të policisë gjyqësore me qëllim përdorimin më efikas të kapaciteteve të tyre, në përputhje me parashikimet e ligjit procedural dhe ligjit nr. 25/2019 “Për Policinë Gjyqësore”, i ndryshuar.
10. Përdorimi efektiv i fondeve buxhetore për përmirësimin e infrastrukturës në prokurori me qëllim rritjen e kapaciteteve akomoduese dhe sigurimin e mjediseve të përshtatshme të punës në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, si dhe garantimin e aksesit të shtetasve në prokurori, përfshirë standardet për intervistimin e të miturve dhe viktimave të krimit, si dhe aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara.
11. Forcimi i përgjegjshmërisë dhe autonomisë funksionale të oficerëve të policisë gjyqësore, duke garantuar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur nga strukturat administrative të shërbimit përkatës, në përputhje me ligjin procedural penal dhe ligjin nr. 25/2019 “Për Policinë Gjyqësore”, si dhe duke qartësuar raportin e tyre funksional me prokurorin.
12. Krijimi dhe funksionalizimi i ekipeve të përbashkëta hetimore (task-force) për çështje komplekse (krim i organizuar, krime financiare, krime kibernetike), me përfshirjen e oficerëve të specializuar nga struktura të ndryshme të policisë gjyqësore dhe ekspertëve të fushave përkatëse (auditues ligjore)
13. Rritja e cilësisë së veprimeve hetimore të kryera nga policia gjyqësore, përmes standardizimit të praktikave procedurale, hartimit të manualeve të brendshme dhe kontrollit më të rreptë të respektimit të afateve dhe formës së akteve procedurale.
14. Zhvillimi i sistemeve të vlerësimit periodik të performancës së oficerëve të policisë gjyqësore, mbi bazën e treguesve konkretë (cilësia e akteve, respektimi i afateve, rezultatet e hetimeve), në bashkëpunim me drejtuesit e prokurorive dhe institucionet përkatëse.
15. Rritja e përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave nga policia gjyqësore, në funksion të identifikimit proaktiv të veprave penale dhe mbështetjes së hetimeve, përfshirë përdorimin e databazave, analizës financiare dhe mjeteve digjitale.
16. Forcimi i rolit të oficerëve të policisë gjyqësore në nisjen e procedimeve kryesisht, duke parashikuar mekanizma të qartë për evidentimin, dokumentimin dhe referimin e informacionit penal tek prokurori, si dhe garantimin e regjistrimit të rregullt të këtyre procedimeve.
Top Channel