Shpërthen lufta civile në Mali, Franca thirrje urgjente qytetarëve të saj: Largohuni menjëherë nga aty

29/04/2026 17:11

Franca ka bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Mali “sa më shpejt të jetë e mundur”, pas një vale sulmesh të koordinuara nga militantë separatistë dhe islamistë gjatë ditëve të fundit.

Ministria e Jashtme franceze paralajmëroi gjithashtu qytetarët të mos udhëtojnë drejt këtij vendi, duke e përshkruar situatën si “jashtëzakonisht të paqëndrueshme”.

Sulmet kanë përfshirë kryeqytetin Bamako dhe qytete të tjera. Në Kati, udhëheqësi i mbrojtjes, Sadio Camara, u vra në një shpërthim të dyshuar si atentat vetëvrasës, ndërsa në veri, forcat separatiste morën kontrollin e qytetit Kidal.

Udhëheqësi ushtarak i Malit, gjeneral Assimi Goïta, tha se situata e sigurisë është nën kontroll dhe se ushtria ka dhënë një “goditje të fortë” kundër sulmuesve, ndërkohë që operacionet vazhdojnë.

Një zëdhënës i Frontit të Çlirimit Azawad (FLA), grupi separatist i Tuaregëve, paralajmëroi se “regjimi do të bjerë, më herët apo më vonë”, duke synuar të marrë kontrollin e qyteteve të tjera veriore, përfshirë Gao, Timbuktu dhe Menaka.

Ministria e Jashtme franceze u kërkoi qytetarëve të saj të largohen menjëherë me fluturime komerciale, të qëndrojnë në shtëpi, të kufizojnë lëvizjet dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale. Edhe Britania e Madhe dhe SHBA kanë dhënë paralajmërime të ngjashme, duke këshilluar qytetarët e tyre të largohen dhe të shmangin udhëtimet tokësore për vendet fqinje për shkak të rrezikut terrorist.

Sulmet e fundit janë pjesë e krizës së gjatë të sigurisë në Mali, ku rebelët Tuareg dhe grupet xhihadiste kanë vepruar në pjesën veriore dhe lindore të vendit. Qeveria ushtarake ka përdorur edhe mercenarë rusë për të përballuar pasigurinë, por situata mbetet e tensionuar dhe pjesë të mëdha të vendit janë jashtë kontrollit qeveritar.

Top Channel