250-vjetori i pavarësisë, SHBA-të do të lëshojnë pasaporta me imazhin e Donald Trump

29/04/2026 08:08

Shtetet e Bashkuara pritet të nxjerrin këtë verë një seri të kufizuar pasaportash të reja, të dizajnuara për të përkujtuar 250-vjetorin e pavarësisë.

Ajo që bie më shumë në sy është përfshirja e imazhit të Presidentit Donald Trump në brendësi të dokumentit.

Si do të jenë pasaportat e reja?

Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, pasaportat do të shpërndahen fillimisht nga Agjencia e Pasaportave në Uashington për aplikimet fizike. Opsionet online dhe vendndodhjet e tjera do të vazhdojnë të përdorin modelin aktual.

Në kopertinën e brendshme shfaqet fytyra dhe firma e Trump me ngjyrë ari. Ndërsa në pjesën e pasme do të jetë piktura “Deklarata e Pavarësisë” e John Trumbull.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, konfirmoi se pasaportat janë pjesë e aktiviteteve për 250-vjetorin e SHBA-së në korrik. Ai theksoi se dizajni i ri do të përfshijë elemente artistike të personalizuara, duke ruajtur standardet e larta të sigurisë. Sakaq ende nuk dihet numri i saktë i pasaportave që do të lëshohen.

Aktualisht, pasaportat amerikane përmbajnë një ilustrim të Francis Scott Key dhe vargje nga himni kombëtar. Modeli i ri shënon një ndryshim të rëndësishëm në përmbajtje dhe simbolikë.

Përdorimi i imazhit të Trump në materiale përkujtimore nuk është i ri. Ai është shfaqur edhe në:

-Leje për parqet kombëtare së bashku me George Washington

-Monedha përkujtimore për 250-vjetorin

-Institucione si Qendra Kennedy dhe Instituti Amerikan i Paqes

Pasaportat, megjithatë, përbëjnë rastin më të rëndësishëm, pasi janë dokumente zyrtare identifikimi me vlefshmëri deri në 10 vite dhe përdorim ndërkombëtar.

Top Channel