Dhjetëra e mijëra protestues dolën nëpër rrugë në qytetet franceze, të martën, për të kundërshtuar reformën e pensioneve që ka zhytur vendin në krizë pas grevës që ka hyrë në ditën e 13 dhe që nuk duket se do të ndalet.
Presioni mbi presidentin Emmanuel Macron po rritet, vetëm pak ditë para pushimeve të fundvitit, ndërkohë që edhe zyrtari që mbikqyrte negociatat për pensionet dha dorëheqjen të hënën për shkak të një skandali mbi pagat.
Sindikatat janë në grevë që nga 5 dhjetori dhe po demonstrojnë fuqinë e tyre kundër planeve për një sistem të vetëm pensionesh, që do të bënte që 42 skema të veçanta që ofrojnë mosha të ndryshme të daljes në pension dhe pagesa të ndryshme, të bashkohen në një. Udhëtarët në Paris dhe qytetet e tjera të mëdha kanë mbajtur peshën e pengesave të shumta në transport por tani rrezikohen edhe planet e udhëtimeve për pushime, me vetëm një nga katër trenat e shpejtësisë së lartë që funksiononte të martën.
Grevës i janë bashkuar edhe shkollat të martën, duke bërë që prindërit të detyroheshin të kërkonin zgjidhje të çasteve të fundit. Mbi 25 për qind e stafit të shkollave fillore në të gjithë Francën janë bashkuar grevës sipas ministrisë së arsimit. Ndërsa në Paris, 58 për qind e stafit ishte në grevë.
Top Channel