Detaje tronditëse nga vrasja e modeles 28-vjeçare, gjendet një makinë grirëse mishi që dyshohet se u përdor për copëtimin e trupit të saj
Pentobarbitali është një ilaç me veprim të shpejtë, i cili në të kaluarën është përdorur kryesisht në anestezi, ndërsa sot përdoret edhe në injeksionet vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara.
Ilaçi është rikthyer në vëmendje pas rastit të Christa Pike, e dënuar me vdekje për vrasjen e një shoqeje të saj në vitin 1995. Pike i mbijetoi administrimit të dy dozave të pentobarbitalit gjatë një tentative për ekzekutimin e saj në Tennessee.
Sipas Marco Maranos, përgjegjës i Qendrës së Antiveneve në spitalin pediatrik Bambino Gesu në Romë dhe anëtar i Shoqatës Italiane të Toksikologjisë, pentobarbitali është një barbiturat me veprim të shkurtër dhe tretshmëri të lartë në yndyrë. Kjo i mundëson të kalojë shpejt barrierën gjak-tru dhe të shkaktojë një efekt anestezik pothuajse të menjëhershëm.
Megjithatë, ilaçi shpërndahet shpejt edhe në indet periferike, duke bërë që efekti mbi sistemin nervor qendror të dobësohet pas disa orësh.
Efektet në organizëm
Sasia e administruar është përcaktuese për efektet që shkakton pentobarbitali. Në doza të larta, veprimi i tij mund të prekë jo vetëm sistemin nervor, por edhe zemrën dhe qarkullimin e gjakut.
Një tjetër veçori e rëndësishme është se pentobarbitali nuk ka në vetvete veti qetësuese të dhimbjes. Ai mund të shkaktojë gjumë dhe humbje të vetëdijes, por nuk eliminon domosdoshmërisht ndjesinë e dhimbjes. Për këtë arsye, kur përdorej për anestezi të përgjithshme, shoqërohej me barna të tjera, përfshirë analgjezikë.
Përdorimi i pentobarbitalit në mjekësi është reduktuar ndjeshëm krahasuar me të kaluarën, pasi është zëvendësuar në shumë raste nga ilaçe të tjera.
I ashtuquajturi “serum i së vërtetës”
Pentobarbitali ka pasur edhe një përdorim historik si i ashtuquajturi “serum i së vërtetës”. Në doza më të ulëta, ai mund të dobësojë mekanizmat e kontrollit dhe frenimit neurologjik, duke e bërë një person më pak të rezervuar në përgjigjet e tij.
Megjithatë, ky efekt nuk do të thotë se personi thotë domosdoshmërisht të vërtetën. Përgjigjet e dhëna nën ndikimin e ilaçit nuk mund të konsiderohen automatikisht të sakta.
Përdorimi në ekzekutime dhe vetëvrasje të asistuar
Përveç përdorimeve mjekësore, pentobarbitali përdoret në disa rrethana të vetëvrasjes së asistuar në Zvicër dhe në Shtetet e Bashkuara është përdorur në ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës.
Rasti i Christa Pike ka rikthyer në qendër të debatit mënyrën e përdorimit të pentobarbitalit gjatë ekzekutimeve, veçanërisht pas dështimit të tentativës për administrimin e dozave të planifikuara.
Top Channel