Zjarrfikësit australianë janë detyruar të bëjnë zjarrvënie të kontrolluara për të ndaluar përhapjen e flakëve që po zhurisin zona të gjera të vendit.
Tymi dhe flakët ngrihen mbi shtëpitë në qytezën e vogël Spencer në afërsi të bregut lindor të Australisë ndërsa zjarrfikësit kryejnë zjarrvëniet e kontrolluara, në një kohë kur kushte më të pafavorshme moti priten në ditët e ardhshme.
Më shumë se 140 vatra zjarri janë aktive në vend ndërkohë që parashikohet një valë të nxehti për këtë javë.
Të martën, temperaturat pritet të kalojnë 40 gradët celcius në disa pjesë të shtetit të Nju Sauth Uellsit, që është goditur më rëndë nga zjarret, dhe erërat e forta që pritet të ushqejnë flakët.
I gjithë vendi në fakt është përballur me një fillim të tmerrshëm të sezonit të zjarreve, që shkencëtarët thonë se ka nisur më herët se zakonisht dhe se është më ekstrem këtë vit për shkak të thatësirës ekstreme dhe efekteve të ndryshimeve të klimës.
Që kur kriza nisi në shtator, gjashtë persona kanë humbur jetën, më shumë se 700 shtëpi janë shkatërruar dhe mbi tre milionë hektarë tokë janë shkrumbuar.
Edhe pse numri i viktimave në njerëz ka qenë më i ulët krahasuar me sezonet e viteve të kaluara, shkalla e shkatërrimit të këtij viti është përshkruar si e paprecedentë.
Top Channel