Kampionati rikthehet në fundjavë, java e 13 luhet në 3 ditë të ndryshme

20/11/2019 12:38

Pas mbylljes së eliminatoreve të Europianit 2020, në fundjavë do të rikthehet Kategoria Superiore me 5 takimet e javës së 13, që do të luhen në tre ditë të ndryshme, të shtunën, të dielën dhe të hënën.

Kështu të shtunën në orën 13:30, Kukësi do të presë surprizën e këtij sezoni, Bylisin në një ndeshje që premton të jetë mjaft interesante dhe e luftuar, për vetë synimet e të dy skuadrave.

Verilindorët vijnë pas humbjes në Laç dhe duan 3 pikët për të mos humbur kontaktet me Partizanin kryesues, por edhe për të realizuar një farë hakmarrjeje për atë humbje mes polemikash në Ballsh në fazën e parë.

Nga ana tjetër Bylisi pësoi humbje pas shumë javësh, teksa u mposht në shtëpi nga Skënderbeu, por ndaj Kukësit do të ketë në dispozicion organikën e plotë dhe do të tentojë rikthimin te suksesi.

Po në orën 13:30 do të luhet edhe sfida mes dy skuadrave që mbyllin renditjen, Flamurtarit dhe Luftëtarit. Këto ekipe kanë grumbulluar shumë pak pikë deri në këtë moment të kampionatit dhe mbeten me shpresa për të ndryshuar pas merkatos së janarit, por deri atëherë do të duhet të grumbullojnë sa më shumë pikë, për të tentuar mbijetesën në gjysmën e dytë të kampionatit.

Në orën 16:30 vëmendja do të zhvendoset në Korçë, ku Skënderbeu vendas do të presë Tiranën e Julian Ahmatajt. Pas debutimit me fitore në Gjirokastër, bardheblutë kanë regjistruar dy barazime radhazi dhe do të kërkojnë rikthimin te fitorja në Korçë.

Nga ana tjetër Skënderbeu vjen pas një 90-minutëshi mjaft të mirë në Ballsh, ku arriti të triumfojë 2-3, por korçarët kanë treguar se e kanë shumë të vështirë të ruajnë ritmin dhe të konfirmojnë 2-3 paraqitje pozitive radhazi.

Të dielën vëmendja do të jetë në Shkodër, ku Vllaznia do të presë Teutën në “Loro Boriçi”, në orën 16:30. Të dy skuadrat kanë vetëm dy pikë diferencë nga njëra-tjetra në renditje (Vllaznia 16 dhe Teuta 18), teksa shkodranët do të kërkojnë rikthimin te fitorja që mungon prej 3 javësh dhe largimin nga zona e rrezikut.

Java e 13 do të mbyllet të hënën në orën 18:00, ku në “Selman Stërmasi” do të luhet përballja mes Partizanit dhe Laçit. Kampionët në fuqi kryesojnë me meritë renditjen me 22 pikë në 12 javë, por vijnë pas një barazimi befasues në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe do të kërkojnë rikthimin te fitorja.

Nga ana tjetër përballë është Laçi, që nën drejtimin e Armando Cungut ka arritur të marrë 4 fitore radhazi dhe është ngjitur në vendin e tretë të renditjes me 19 pikë. Kurbinasit po kalojnë një moment “të artë” të udhëhequr edhe nga forma e mrekullueshme e sulmuesit Nwabueze, që po shënon rregullisht, ndaj sfida e të hënës në mbrëmje pritet të jetë vërtetë interesante.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA