Rey Manaj shënoi golin e barazimit ndaj Andorrës, por shpërdoroi disa mundësi të tjera, duke bërë që ndeshja të mbyllej në barazim. Në intervistën e dhënë për emisionin “Kuqezi” në Supersport, sulmuesi lushnjar mohoi që skuadra të ishte e shpërqendruar, por evidentoi gabimet në golat e pësuar.
Çfarë ndodhi që nuk fituam sot?
Të gjithë menduan se mund të ishte një ndeshje e lehtë, por ne e kishim parashikuar që ata janë një skuadër që mbyllet mirë dhe mbrohet shumë fort. Patëm fatin që shënuam shpejt, por gabuam në dy golat që pësuam. Barazuam shpejt, por më pas luajtëm me topa të gjatë dhe nuk arritëm të gjejmë golin e fitores.
Mos ndoshta e kishit mendjen te Franca?
Jo, ishim me mendje te Andorra, pasi donim të arrinim rekordin e pikëve, por edhe të tregonim që kemi vazhdimësi, pas ndeshjeve me Islandën, Turqinë dhe Moldavinë. Megjithatë sot nuk na shkoi si duhet dhe tani duhet të lëmë pas krahëve këtë ndeshje e të shohim për ndeshjen me Francën.
Edhe juve personalisht duhet të keni pak më shumë përgjegjësi me ato rastet që keni humbur…
Si ne, edhe mbrojtja duhet të bëjmë mirë punën në fushë, por kjo skuadër luan në grup, pra mbrojmë të gjithë dhe tentojmë të shënojmë të gjithë.
Top Channel