Me shkas nga pragnisja e festës së madhe të panairit të librit
Monika Stafa
Ditët e panairit janë konsideruar gjithmonë një festë e vërtetë e librit. Kjo së pari për lexuesit dhe pastaj për botuesit e librit, për autorët, përkthyesit por dhe dashamirësit e tij.

Por për shqiptarët duhet të biem dakord se ne jemi një popull që na pëlqen të lexojmë, e njohim librin e mirë dhe dimë të bëjmë diferencën sepse jemi mësuar të lexojmë që herët. Pavarësisht problemeve me të cilat haset rinia, kërkesa krejtësisht të tjera nga ato që dikur brezat kanë pasur, kjo edhe për shkak të një bote të re, duhet të themi se edhe asaj i pëlqen të lexojë.

Gjatë një takimi me botues, ata shprehen se teknologjia nuk ka ndërhyrë ende në dëshirën e të rinjve për të lexuar por përkudrazi ajo ka ndihmuar me mënyrat e saj sepse ofron tani shpejtësinë e informacionit gjë që më parë ishte shumë e vështirë. Liria e mendimit, liria e shprehjes, liria e botimit dhe e shkëmbimit të kulturave është një gjë shumë e mirë. Sot në Shqipëri botohet letërsia më e mirë botërore dhe kjo është një arritje e madhe. Botohet shpejt, botohet mirë dhe në të njëjtën kohë me cdo kryeqytet tjetër të botës. Megjthëse Shqipëria është një treg i vogël, dhe një vend jo i fuqishëm ekonomikisht librit i bëhen të gjitha kujdesjet për t‘ia dhënë lexuesit në nivelin më të mirë. Po si do të përkthehej kjo liri e pakufi që ka ardhur? Mos vallë ajo ka sjellë një anarki vlerash? Botuesi Petrit Ymeri thotë se kjo gjë ndihet në cdo fushë. Kështu edhe për librin. Ka libra shumë të mirë dhe që botohen në mënyrë të vecantë por ka dhe libra që shiten në sajë të kopertinave të bujshme dhe që në të vërtetë nuk janë letërsi e mirë. Megjithëse sipas tij, edhe kjo letërsi ka lexuesin e vet që duhet ta ndjekë. Cdo lexues ka të drejtë të zgjedhë atë vepër që preferon. Ai lexues që nuk don të gënjehet, nuk kthehet më tek ai autor, nuk kthehet më te ai botues apo përkthyes. Sepse ka shumë raste kur jo të gjthë lexuesit marrin informacionin e duhur. Në fundin e dekadës së tretë të lirisë ekonomike, të lirisë ideologjike, pra në këto kohëra që jetojmë, lexuesi i mirë di të dallojë dhe di cfarë të kërkojë. Ata ngrenë pyetje mes kërkesave të tyre të preferuara. Ai bëhet gati që tani në këto ditë të fundit të pragut të nisjes së panairit të kërkojë librin apo autorin e tij. Mënyrat janë nga më të ndryshmet; shkruan në facebook, dërgon e-maile..por nga ana tjetër edhe shtëpitë botuese bëjnë punën e tyre. Cila është ajo? Me imazhet e librave, me intervista për librin lidhur me përmbajtjen, temën, personazhet, etj. Shpesh herë bëhen intervista me autorë, me përkthyes, etj. Nga ana tjetër shtëpitë botuese në Shqipëri janë bërë pjesë e projekteve europiane që prej disa vitesh.

Si është fluksi i titujve të rinj këtë vit? Sipas Kryetarit të Shoqatës së Botuesve, numri i titujve të rinj ka shkuar deri në 500. Në Panairin e sivjetshëm thotë ai, ka dhe shumë autorë vendas. Vitet e fundit letërsia shqipe ka një kapërcim, duket se po njeh një nivel të ri. Është një gjë krejt e natyrshme që erdhi pas një lloj mungese që pati në vitet e para të plualizmit ku shkrimtarët po kërkonin veten, po kërkonin të gjenin një mendim të ri. Ndërsa brezi i ri i letrarëve që u gjet në këtë shoqëri të re, u përshtat më mirë me kohën dhe rrymat letrare që janë pjesë e saj.

A mund të jetojë një shkrimtar me veprën e tij? Unë besoj se vështirësitë në këtë drejtim nuk janë vetëm në Shqipëri. Pak ditë më pare, ne na erdhi një shkrimtare bullgare thotë z. Ymeri, dhe ajo pranonte se situate është e vështirë kudo. Por botuesi nga ana tjetër, nënvizon faktin se në Shqipëri ka sigurisht shkrimtarë që jetojnë me të ardhurat e librit të vet.

Cështja e librit është një ngjarje kulturore, një event i madh, por nga ana tjetër është një biznes dhe duhet t’i nënshtrohet rregullave të biznesit dhe rregullave të tregut. Por tregu është i ashpër dhe ai ka rregullat e tij, që nuk duan t’ia dinë për pasionin etj., si këto. Ndaj mbi të gjitha është një e mirë publike që shteti afërmendsh duhet të ndërhyjë. Po cfarë kërkojnë botuesit? Cila është ndihma që i duhet nga shteti? Në të gjithë bisedën vërehet një shqetësim i vazhdueshëm. Botuesit duan të përmirësohen politikat kulturore për librin dhe furnizimet publike të bibliotekave. Pra, pasurimi i bibliotekave publike, të shkollave të qyteteve dhe të fshatrave.. Po cfare d.th. kjo? Kultura, libri, janë detyrë e institucioneve shtetërore. Dhe në të gjitha vendet që ne kemi pranë si Maqedonia, Sllovenia, Kroacia shteti furnizon biblioteka publike të të gjitha niveleve dhe 30- 40 % e tirazheve që botohen, i blen shteti për të furnizuar këto. Nxënësit, fëmijët, të rinjtë, e deri pensionistët i kanë librat nëpër bibliotekat e shkollave, lagjeve, apo dhe qyteteve. Duhet të shtoj gjithashtu thotë Ymeri, se qyteti i Tiranës nuk ka bibliotekë qyteti. Ka disa biblioteka në lagje të varfra, të cilat janë rindërtuar por vetëm kaq. Libra të rinj aty nuk ka. Sa i përket nismave të institucioneve shtetërore për të nxitur leximin, Z. Ymeri i quajti ato naive dhe shaka krahasuar me problemet madhore që haset sot libri në raport me lexuesin. Pyetjes se cili është tirazhi normal i një libri në Shqipëri, P. Ymeri iu përgjigjë me faktin se nëse një libër mesatar dikur botohej në 2000 kopje tani ai botohet në 300 – 400 kopje, ku duket se shifra paraqitet tepër e frikshme. Një shifër tronditëse që rrezikon raportin mes kostos që shpenzohet dhe fitimit. Por sipas tij problemi nuk është vetëm kaq, dëshpërimi këtu është se ti si botues përpiqesh shumë të gjesh një autor shumë të mirë, një libër shumë të mirë, për ta përkthyer, për ta redaktuar, për ta shtypur me të gjitha kujdesjet dhe përfundohet mw pas në një tirazh të vogël. Po cila është mundësia e unifikimit të tregut shqipfolës? Kosova ka një vëmendje shumë të madhe për librin. Në të gjitha komunat e Kosovës shpenzohen 80- 100 mijë euro cdo vit. Të gjitha drejtoritë arsimore të Kosovës shpenzojnë shumë për bibliotekat shkollore.

Dhe kjo vëmendje që ka në Kosovë për librin ndihmon shumë botuesit shqiptarë sepse atje bëhen tendera me shuma shumë të mira e gati 80 % e librave kësaj radhe u blenë në Shqipëri. Po si duket vëmendja e lexuesit tonë krahasuar me vendet fqinje? Shifrat e anketimit tregojnë se situata nuk është aspak e mirë. Janë bërë dy anketime, një në vitin 2014 dhe tjetri më vonë. I pari, tek rinia I dyti, në një masë më të gjerë dhe shifrat nuk kanë rezultuar optimiste. Megjithatë a ka një gjë më të gëzueshme ky nëntor se vetëm kaq? Ditët e fundit të nisjes së panairit të librit po përmbyllen. Ndaj të gjithë lexuesit duhet të shkojnë në panair për shumë arsye. Shtëpitë botuese megjithë vështirësitë e përballjes së këtij ushqimi shpirtëror sic është quajtur libri që prej fillimit të qytetërimeve, pritet të sjellin një prurje masive librash për bibliotekat e tyre.

Top Channel