Interesi për të ndjekur ndeshjet e Serisë A në shkallët e stadiumeve është rritur ndjeshëm në futbollin italian.
Sipas një raporti të përpiluar së fundmi nga Lega Calcio, është vënë re një rritje e numrit të tifozëve në impiantet e skuadrave italiane. Sipas këtij raporti, në 9 javët e para të kampionatit numri mesatar i të pranishmëve në stadium është rritur në 27 134 persona, ndërkohë që sezonin e kaluar, për të njëjtën periudhë ky numër ishte 25 500 shikues. Meritën në këtë pikë e ka pikërisht java e 9 e këtij kampionati që regjistroi një mesatare prej 28 586 shikuesisht në stadiumet e Serisë A.
Impianti që i gëzohet më shumë këtij klasifikimi në Serinë A është pikërisht San Siro me Interin e Milanin që janë në krye. Kjo mesatare është më e larta e regjistruar ndonjëherë në Serinë A që nga momenti kur kampionati është bërë me 20 skuadra, ndërkohë që për të parë statistika të ngjashme me ato të këtij viti duhet të kthehemi në sezonin 2000-2001 kur Serie A kishte një format me 18 ekipe.
Përsa u përket ekipeve, Interi është në vend të parë me një mesatare prej 64 271 tifozë në stadium i ndjekur nga Milani me 56050 dhe Juventus me 39651 shikues. Në klasifikimin e 10 skuadrave me mesataren më të lartë të shikuesve në impiantet e tyre janë edhe Roma, Fiorentina, Napoli e Lazio, ndërkohë që renditjen totale e mbyll Sassuolo me një mesatare prej 10521 shikuesish për ndeshje.
Top Channel