Arlind Qori Në Top Talk: Nëse nuk ndryshon “Ligji për Arsimin e Lartë” gjithçka është mashtrim. Studentët nuk kanë fuqi vendim-marrëse

14/10/2019 16:34

Pedagogu i Fakultetit të Shkencave Sociale, Arlind qori akuzoi ministren e Arsimit Besa Shahini për mashtrim me premtimet sidomos për fondet për të cilat ai thotë se qeveria vazhdon të diskriminojë Universitetin Publik për interesa të privatëve.

“Këtë vit do të ndodhë e njëjta gjë si vitet e shkuara, për të ilustruar se qeveria ka bërë një vrimë në ujë marrim tarifat. Edhe këtë vit tarifat janë të larta, nuk është e vërtetë që qeveria ka ulur tarifat për të gjithë studentët. Studentët të cilët janë nën një mesatare të caktuar, nën mesataren gjashtë nuk do të përfitojnë ulje tarife, studentët që kanë qoftë edhe një provim të mbartur, por mund të jenë me nota 10 e 9, prapë nuk do përfitojnë ulje tarife. Por mbi të gjitha dhe skandalozja: shumica dërrmuese e studentëve të Masterit do vazhdojnë të paguajnë miliona sepse qeveria i konsideron studimet master si një privilegj , si një kalim kohe, jo si një pjesë organike e studimit. Sot pa master nuk shkon dot gjëkundi. Pothuajse çdo vend pune i kualifikuar i kërkon studentëve që të paguajnë masterin.

Nuk duhet të kenë të gjithë master, ama ata që kualifikohen për të duhet të kenë tarifë të reduktuar madje për mua të jetë falas. Po të marrim sondazhin e studentëve, qeveria i pyet studentët se çfarë mendojnë për pedagogët. Ne na duhet një mekanizëm që të dëshmojë nëse pedagogu e thyen apo jo etikën pedagogjike, Si do ta marrim vesh ne që një pedagog e shet librin me detyrim. Kjo është një çështje e ministrisë, pasi ka mekanizma për ta bërë këtë gjë”, tha Qori në Top Talk.

Ndër të tjera pedagogu Qori tha se studentët nuk kanë fuqi fare në universitet.

“Studentët nuk kanë peshë fare në Universitet. Ata trajtohen si klient, u është lënë një 10 % mjeran i së drejtës së votës, në këtë kuptim burokracia e kalbur universitare bashkëpunim me qeverinë e partitë politike mund të abuzojë me ta nga mëngjesi deri në darkë.
Ligji aktual i arsimit të lartë u mundëson universiteteve private të fusin duart në buxhetin e shtetit”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA