Forma që po tregon në këtë fillim sezoni Lautaro Mertinez përligj mendimin se Interi bëri një goditje të madhe me blerjen e sulmuesit argjentinas.
22-vjeçari tashmë konsiderohet “xhevahir” i klubit zikaltër, i cili shndrit gjithnjë e më shumë dhe po vendos edhe fatet e Interit.
Blerja e tij u përvijua në shkurt të vitit 2018, me Interin që dogji konkurrencën e Atletico Madridit dhe më pas të Borussia Dortmundit, e gatshme për të shpenzuar 30 milionë euro për sulmuesin. Racing Avellaneda, klubi i Militos, respektoi marrëveshjen paraprake me drejtorin sportiv Ausilio, mbi bazën e një çmimi që kapte shifrën 22 milionë euro (përfshirë dhe taksat), me argjentinasit që mbajtën 10% të vlerës së kartonit, në rast të rishitjes së tij.
Vlera e “Demit”, sikurse etiketohet Lautaro, tani mund të thuhet se është trefishuar, duke arritur 70 milionë euro. Nëse vijon me këtë ritëm, nuk do t’i duhet shumë për të arritur në 111 milionë euro, sa është edhe klauzola e largimit në kontratën e tij.
Jo rastësisht Interi po bisedon për zgjatjen e marrëveshjes me heqjen e klauzolës së largimit. Më mirë të mos rrezikojë, sepse Barcelona, me këshillën e Messit, ka nisur të mendojë për Lautaron. “Do të rinovojmë se shpejti kontratën, – konfirmoi menaxher i futbollistit, Beto Yaque. – Conte e ka përmirësuar.”
Top Channel