Turqia ka shtuar numrin e forcave të saj në kufirin sirian para një ndërhyrjeje të paralajmëruar prej kohësh që do të ketë në shënjestër forcat e udhëhequra nga kurdët, aleate të Shteteve të Bashkuara.
Trupat do të hyjnë në Siri së shpejti – tha një ndihmës i presidentit turk. Turqia do të krijojë një zonë të sigurt, pa milici kurde, që po ashtu do të presë 3.6 milionë refugjatët sirianë në Turqi.
Donald Trump ka tërhequr trupat amerikane në zonë në një vendim të polemizuar, që është dënuar gjerësisht në SHBA dhe jashtë saj. Ai mbrojti sërish vendimin e tij të martën, duke thënë se kurdët nuk janë braktisur e duke i quajtur ata specialë.
Kurdët ishin aleatë kyçë të Shteteve të Bashkuara në mundjen e grupit xhihadist, shteti islamik në Siri.
Por, Turqia i konsideron milicitë kurde që dominojnë forcat demokratike siriane si një grup terrorist. Tërheqja e SHBA konsiderohet gjerësisht se ka hapur rrugën për një ofensivë turke.
Autokolona me mjete ushtarake dhe tanke janë parë ti drejtohen qytetit kufitar turk Akcakale, mbrëmjen e të martës. Pamje të autobusëve me personel ushtarak u shpërndanë madje nga agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Turqia planifikon të krijojë një zonë të sigurt 32 km të thellë dhe 480 km të gjatë në anën siriane të kufirit.
Top Channel