I ftuar ditën e sotme në emisionin “Top Talk”, teksa foli rreth seancës dëgjimore të presidentit Ilir Meta në Komisionin Hetimor, publicisti dhe analisti Frok Çupi u ndal në atë që u cilësua si pozicioni komod i Ramës, mbi situatën politike në vend.
I pyetur nëse Rama, duhet të vazhdojë të jetë konsekuent duke përjashtuar një dialog me opozitën, Çupi tha:
“Jemi në epokën e zgjidhjeve jo të forta dhe politikanët që tentojnë të bëjnë zgjidhje të forta nuk kanë më vend. Veçanërisht ju e shihni, pas ardhjes në pushte në SHBA të një presidenti që është shumë i gatshëm të bëjë dialog edhe me armikun më të keq të tij dhe e gjitha e reflektuar në të gjitha politikat perëndimore, dialogu është mjeti kryesor dhe i vetëm fillestar për të hyrë drejt zgjidhjeve. Edhe në Shqipëri nuk mund të shkohet pa dialog dhe padyshim do të ketë dialog. Problem është ky, problemi është se ne kemi edhe dy vite për të shkuar në zgjedhje parlamentare, dhe brenda dy vitesh ne nuk jemi të sigurtë se çfarë do ndodhë, këtu mund të ndodhë që fajtorë për korrupsion, fajtorë për krime mund të përjashtohen prej radhëve të lidershipit. Reforma në drejtësi mund të ketë skarcuar disa koka në politikë, Ilir Metën, Lulzim Bashën, por problemi është nëse do ketë fuqi politike shoqëria jonë për të krijuar realitete të reja. Pa dialog dhe bashkëpunim në kuptimin e interesave të atdheut nuk mund të shkohet. Veçse një gjë që duhet të pranohet është se fillimi i kësaj vjeshte është një fillimm çlirues për njerëzit, sidomos për vendosjen e elementëve të parë të një drejtësie sa më të paanshme, të pakorruptuar, që s’do ta ketë më në dorë politika apo krimi”, përfundoi Çupi.
Përsa i përket një marrëveshjeje dhe dialogimi të mundshëm Rama-Basha, analisti deklaroi:
“Besoj se nuk ka asnjë rrugë tjetër pa një marrëveshje, pa asnjë dialog , besoj se nuk pranohet asnjë zgjidhje tjetër përveç asaj juridike që do të bëjë reforma në drejtësi. Sot vumë re se Ilir Meta tenton të bëhet një nga të mëdhenjtë. Ai ka një avantazh në fushë, atë që përdori edhe sot, jo vetëm vetë, por edhe nëpërmjet mediave të tij, që kurrë unë nuk kam thënë se duhet të shkarkohet, duhet të largohet kryeministri Rama, gjë që PD ia ka vënë këtë pengesë vetes dhe moralisht bie nëse thotë që unë e thashë kot, ndërsa Ilir Meta nuk ka thënë kurrë të largohet kryeministri.”
Top Channel