Fiks Fare/ Rruga është e vështirë, por ajo që të pret në fund ia vlen çdo kilometër. Manastiri i Shën Marenës, thesari i fshehur i Pogradecit
Vetëm pak familje jetojnë sot në fshatin që i dha Shqipërisë tre nga figurat më të mëdha të historisë. Vizitorët nuk mungojnë, por mungojnë infrastruktura dhe kujdesi institucional.
Ka vende që nuk kanë nevojë të krijojnë histori, sepse historia ka lindur aty. Frashëri është një prej tyre. Fshati i vogël në jug të Shqipërisë është vendlindja e Abdyl, Naim dhe Sami Frashërit, tre prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, por sot përballet me një realitet krejt ndryshe nga pesha që ka në historinë e vendit.
I vendosur rreth 40 kilometra larg Përmetit, Frashëri arrihet vetëm pasi përshkon një segment të gjatë rruge të dëmtuar që kalon mes Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës, një prej zonave natyrore më të bukura të Shqipërisë. Megjithëse distanca nuk duket e madhe në hartë, udhëtimi zgjat rreth një orë e gjysmë dhe infrastruktura mbetet shqetësimi kryesor i banorëve.

Dikur një fshat i gjallë, sot Frashëri ka mbetur me shumë pak banorë. Gjatë dimrit jetojnë vetëm rreth shtatë familje, ndërsa në muajt e verës numri arrin në rreth 17, kur rikthehen përkohësisht familjet që kanë ende shtëpitë dhe lidhjet me vendlindjen. Për çdo shërbim bazë, nga furnizimi me ushqime deri te kujdesi shëndetësor, banorët duhet të udhëtojnë drejt Përmetit.
Megjithatë, ata që kanë mbetur nuk e kanë braktisur fshatin. Punojnë tokën, mirëmbajnë shtëpitë dhe përpiqen të mbajnë gjallë një vend që për shqiptarët ka një domethënie të veçantë.

Në Frashër ndodhet edhe Shtëpia e Vëllezërve Frashëri, objekti ku u rritën Abdyli, Naimi dhe Samiu. Godina është Monument Kulture i Kategorisë së Parë, por nuk ka statusin zyrtar të muzeut. Edhe pse çdo vit vizitohet nga turistë shqiptarë dhe të huaj, banorët thonë se gjendja e saj nuk është në lartësinë e rëndësisë historike që përfaqëson.
Një çift të moshuarish, që jeton pjesën më të madhe të vitit në Frashër edhe pse banon në Tiranë, tregon se kushtet bazë si energjia elektrike dhe uji nuk mungojnë, por problemi më i madh mbetet rruga dhe boshatisja e fshatit. Ata kujtojnë se dikur në Frashër funksiononte shkolla dhe kishte jetë, ndërsa sot gjithçka është tkurrur.

Edhe banorë të tjerë shprehen se turizmi mund të jetë mundësia më e mirë për ta rikthyer Frashërin në hartën e destinacioneve historike dhe kulturore të Shqipërisë, por pa investime kjo mbetet e vështirë. Sipas tyre, rruga aktuale pengon zhvillimin dhe dekurajon shumë vizitorë.
Kërkesat e tyre mbështeten edhe nga studiues dhe historianë. Profesori Pëllumb Xhufi e cilëson Frashërin “tempull dhe djep të historisë së shqiptarisë”, duke theksuar se dikur Shtëpia e Vëllezërve Frashëri funksiononte si muze dhe ishte pjesë e aktiviteteve përkujtimore të historisë kombëtare.

Edhe profesori Sherif Bundo e konsideron Frashërin një qendër të rëndësishme pelegrinazhi kulturor, patriotik dhe turistik, duke nënvizuar se Shqipëria i detyrohet shumë familjes Frashëri.
Nga ana tjetër, institucionet shpjegojnë se objekti administrohet si Monument Kulture dhe se shpallja e tij muze kërkon procedura të veçanta ligjore. Bashkia e Përmetit bën të ditur se po punon për pasurimin e fondit me materiale që lidhen me familjen Frashëri, ndërsa Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore thekson se godina ka përfituar restaurime ndër vite.

Megjithatë, për banorët dhe studiuesit, problemi nuk është vetëm statusi i godinës, por mungesa e një vizioni për ta kthyer Frashërin në një qendër të denjë të kujtesës kombëtare.
Sot, Frashëri nuk kërkon vetëm një rrugë të re. Ai kërkon të mos mbetet një emër i madh në librat e historisë dhe një fshat i harruar në realitet. Sepse ruajtja e historisë nuk matet vetëm me monumente, por edhe me kujdesin që një shoqëri tregon për vendet ku ajo histori ka lindur.
Top Channel