Prej 8 muajsh banorët e lagjes Terziu, në fshatin Shoshaj të Matit, ishin izoluar pasi rrëshqitjet e dherave kishin shembur rrugën. Në fund të saj jetojnë edhe dy të moshuar me status invaliditeti, për të cilët mungesa e rrugës ishte kthyer në një problem serioz.

“Unë jam i verbër. Kam shkuar disa herë në bashki, por na mbajnë me premtime. Këtu nuk vjen as ambulanca, as zjarrfikësja”, u shpreh Shkëlqim Shoshaj për “Fiks Fare”.

Pas ankesës së banorëve, gazetarët e emisionit iu drejtuan Bashkisë Mat. Përgjegjësi i rrugëve pranoi se zona kishte nevojë jo vetëm për mbushje, por edhe për një mur mbajtës, pasi rrëshqitjet mund të vijonin.
Pas ndërhyrjes së “Fiks Fare”, më në fund fadroma shkoi në Shoshaj dhe nisi punën për ta bërë rrugën të kalueshme. Megjithatë, mbetet ende për t’u zgjidhur ndërtimi i murit mbajtës, i rekomanduar edhe nga Shërbimi Gjeologjik.

Banorët falenderuan “Fiks Fare” për ndërhyrjen që bëri të mundur rikthimin e aksesit në rrugë pas 8 muajsh izolim.

Top Channel