Fiks Fare/ Pa shtëpi, pa bukë, pa shkollë! Dy fëmijë në Mbrezhdan të Këlcyrës presin ndihmë

02/10/2026 21:02

Tre javë pa shkuar në shkollë, një shtëpi e djegur dhe një nënë që përpiqet të mbajë familjen në këmbë. Për Dhurata Tralon dhe dy fëmijët e saj, mbijetesa është kthyer në një përditshmëri pa zgjidhje.

Prej tre javësh, dy fëmijë të familjes Tralo në fshatin Mbrezhdan të Këlcyrës nuk kanë shkuar në shkollë. Vajza në klasën e tretë dhe djali në klasën e shtatë jetojnë me nënën e tyre në kushte të vështira, në një banesë të papërfunduar, pa ujë dhe energji elektrike.

Dhurata Tralo tregon se prej një viti, pas djegies së banesës së familjes në Peshtan, është detyruar të strehohet te prindërit e bashkëshortit, i cili ndodhet në burgun e Fierit.

Për shkak të kushteve ekonomike dhe distancës prej rreth 15 kilometrash nga shkolla, fëmijët kanë mbetur jashtë bankave.

“Kam problem shumë të madh, fëmijët i kam pa shkollë sepse shkolla është larg. Jetoj me borxhe dhe kam kërkuar ndihmë në bashki, por deri tani nuk kam marrë asnjë mbështetje”, shprehet ajo.

Fiks Fare iu drejtua Bashkisë së Këlcyrës për rastin. Punonjëset e shërbimit social fillimisht deklaruan se nuk kishin dijeni për familjen, ndërsa më pas thanë se situata do të verifikohej në terren. Edhe Zyra Vendore e Arsimit u vu në dijeni, por pa dhënë një afat konkret për rikthimin e fëmijëve në shkollë.

Një javë më vonë, Fiks Fare u rikthye në familje. Dy fëmijët vijonin të ishin në shtëpi dhe ende nuk kishin nisur mësimin. Ndërkohë, në kuadër të nismës “Fundjavë Ndryshe”, familjes iu dërguan ushqime dhe veshmbathje.

Por ndërsa viti shkollor ka hyrë në javën e tretë, dy fëmijët e familjes Tralo vazhdojnë të jenë jashtë bankave të shkollës. Familja pret ende një zgjidhje konkrete nga institucionet për arsimin dhe kushtet minimale të jetesës.

 

Top Channel