Fiks Fare/ Nepotizmi në bujqësi: Drejtoresha Ardita Kuçi pagoi fermerin që bëri projektin te punonjësja e AZHBR-së!

01/10/2026 21:08

Fiks Fare vijoi të denoncojë veprimet e dyshimta të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural, ku me njërën dorë t’i jep fondet dhe me tjetrën t’i merr.

Nëse në pjesën e parë, redaksia e emisionit investigativ denoncoi se drejtoresha, Ardita Kuçi, po fundoste dy fermerë në zonën e Roskovecit, Tauland Hoxha dhe Leonora Hoxha, në pjesën e dytë u ndalëm te një nga skandalet e këtij institucioni, i cili në vend që të jetë mbështetja kryesore për fermerët dhe bujqësinë, është kthyer në një makth për të gjithë!

Pak muaj më parë shpërtheu skandali, ku punonjësja e AZHBR-së, Ana Ago, kishte pranuar projektin e babait të saj, Ylli Ago, në një konflikt të pastër nepotizmi. Ylli kishte dërguar dokumentet e fermerit Ardit Bënja nga Kuçova, i cili do të ndërtonte një stallë me bagëti, me një vlerë 28 milionë lekë. Ndërkohë, javët e fundit, sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, skandali është thelluar më tej, për shkak se drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, në datën 12 gusht 2026, ka firmosur që fermeri të paguhet 100 % nga shteti, pavarësisht nepotizmit.

Për më tepër, me dy standarte mjaft të dyshimta, ku fermerëve nga Roskoveci, pa lidhje në AZHBR-në, u kërkon fondet mbrapsht dhe fermerit nga Kuçova që kishte “mik” i paguan 100 % të vlerës, në shumën 15 milionë lekë. Ndryshe nga dosjet e tjera ku firmosin ekspertët dhe specialistët e kontrollit, pagesa është bërë nga drejtoresha Stela Bazaiti, e njëjta që refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të “Fiks Fare” për dy fermerët nga Roskoveci.

Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë pagesë, Fiksi tentoi sërish të bisedojë me të gjithë protagonistët e këtij skandali. Grupi i emisionit investigativ udhëtoi në zonën e Kuçovës, në fermën e zotit Ardit Bënja, nga Kuçova, i cili u gjend në këtë situatë, ku rrugën e vetme për të marrë ato para mund t’a ketë parë nga “miku”. Fiks Fare nuk është kundër fermerëve, përkundrazi i ka mbështetur dhe do t’i mbështesë, por interesi në këtë rast është për të mësuar më shumë sesi shkoi deri te drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi.

Arditi e ka ndërtuar stallën, ndërsa grupin e xhirimit të Fiks Fare e pret me një irritim. Ai thotë se ka pritur për vite me radhë për të marrë këto para’ që i takojnë për djersën dhe mundin e familjes. Gazetarët e Fiks Fare e pyetën drejtpërdrejt Arditin nëse ka përdorur sekser për të fituar grantin. Ai tha se ka pritur me vite për të marrë atë mbështetje.

“AZHBR-ja dhe Ministria kanë pasur luftë me njëra tjetrën. Dhe viktimë isha unë. Unë kam bërë projekte, kam futur lopë e kam ndërtuar stallën. Ma mbajtën dy vite, dy ish drejtorë. Tani drejtoresha Ardita Kuçi m’i dha” thotë ai. Fiksi e pyeti nëse projektin e ka bërë Ylli Ago, teksa ai thotë se bashkia kërkonte një inxhinier me licencë dhe ka përdorin emrin e tij.

Por, Ylli ka pasur vajzën në AZHBR? A mos vallë ka qenë sekser, ka përdorur emrin, ka bërë projektin dhe vajza t’a miratonte?

Fiksi bisedoi në telefon me inxhinierin Ylli Ago. Ai tha se është bërë pagesa për atë projekt, por ai s’ka marrë para! Por kush i mori paratë? Ylli thotë se vajza e tij, Ana Ago, është larguar nga AZHBR-ja pas skandalit, teksa shton se nuk e di nëse vajza e tij dhe drejtresha Ardita Kuçi kanë qenë shoqe.

Dy orë nga telefonata me inxhinierin, grupin e Fiks Fare e telefonon vetë Ana Ago. Ajo thotë se babai i saj nuk ka bërë projektin, por një bashkëpunëtor i tij i ka vendosur emrin, numrat e telefonit në projekt. Fiksi e pyet nëse është ajo sekserja në këtë rast, teksa mohon çdo përfshirje dhe thotë se tani është larguar nga AZHBR dhe e gjithë kjo situatë i ka shkaktuar stres. Gazetarët e pyesin nëse ka miqësi me Ardita Kuçin, teksa ajo thotë se ka shkuar në AZHBR kur drejtor ka qenë një person tjetër, ndërsa të dyja kanë punuar në të njëjtën ministri.

Por nëse këta protagonistë bëjnë deklarata tepër të dyshimta, ku lënë vend për abuzime dhe punë sekserësh në AZHBR, po vetë drejtoresha a ka dijeni?!

Grupi i Fiks Fare shkon sërish në AZHBR për të pyetur drejtoreshën Ardita Kuçi, për të dy rastet, heqjen e pagesave në Roskovec dhe kryerjen e pagesave në Kuçovë. Sërish drejtoresha nuk pranon të japë shpjegime, teksa kësaj herë dërgon 2 specialiste që t’i adresonim pyetjet. Në momentin që grupi i Fiksit po i tregonte arsyet e interesimit, një nga punonjëset nxjerr telefonin dhe filmon situatën.

Një situatë normale për grupin e Fiks Fare, arrogancën e kësaj zyre apo të çdo zyre tjetër, teksa e pyesin specialisten se nga e mori urdhrin që të filmonte. Më pas, Fiksi u bën me dije se do të presë drejtoreshën dhe t’a lajmërojnë për arsyet. Sërish, zonja Ardita Kuçi nuk pranon të japë shpjegime …

Top Channel