Fiks Fare/ “Ma mbytën djalin 23 vjeç”, rrëfimet e fermerëve që mbetën pa mbështetje. AZHBR largon gazetarët me policë!
Prej më shumë se një jave, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Qemal Lika” në fshatin Selbë të Dajtit mbetën pa mësim.
Banorët iu drejtuan “Fiks Fare”, duke denoncuar mungesën e mësuesve dhe faktin se shkolla kishte mbetur e mbyllur, ndërsa në të pritej të nisnin vitin e ri shkollor 15 nxënës.
Banorët thanë se mësuesit nuk pranonin të shkonin në Selbë për shkak të infrastrukturës, ndërsa drejtori i shkollës dha një tjetër shpjegim.

Sipas tij, problemi lidhej me numrin e vogël të nxënësve dhe faktin që mësuesit nuk plotësonin orët e nevojshme për të pasur ngarkesë të plotë. Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë sqaroi se nuk kishte asnjë vendim për mbylljen e shkollës dhe se po pritej zgjidhja përmes portalit të punësimit të mësuesve.
Drejtoresha Bora Salaj deklaroi se, nëse problemi nuk do të zgjidhej përmes portalit, Ministria e Arsimit do të angazhonte mësues përmes procedurave të tjera.

Pas interesimit të “Fiks Fare”, situata ndryshoi. Shkolla “Qemal Lika” u hap dhe në bankat e saj u rikthyen nxënësit. Në shkollë nisën punën edhe mësuesi i anglishtes dhe mësuesi i ciklit të ulët. “Unë fillova sot, është dita e parë për mua”, u shpreh mësuesi i ciklit të ulët.

Banorët dhe nxënësit falënderuan “Fiks Fare” për ndërhyrjen që, sipas tyre, mundësoi rikthimin e mësimit në shkollën e Selbës.


Top Channel