Shkolla në Selbë mbeti me dyer të mbyllura, ndërhyrja e Fiks Fare rikthen mësimin
Dhjetëra fermerë janë ankuar në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare” se, megjithëse përfituan fonde për ndërtimin e serave, bën projekte, i ndërtuan me firmë ndërtimi, morën edhe një parapagese, dhe kur duhej që të paguheshin, vetë shteti u kërkon që të kthejnë paratë. Arsyeja është për shkak se firma e ndërtimit nuk ka drejtues teknik.
Fermerët thonë se, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, e pranoi këtë firmë në momentin që lidhi kontratën. Ndërkohë, grupi i Fiks Fare shkoi në këtë Agjenci për të pyetur, por u ndesh me arrogancën e drejtoreshës së AZHBR-së, Ardita Kuçi. Madje, pas një pritje të gjatë, Agjencia lajmëroi policinë dhe në godinë erdhën dy patrulla të policisë për të larguar grupin e Fiks Fare.
Skandalet me fondet e bujqësisë janë një histori turpi e shtetit shqiptar, sidomos me paratë e Bashkimit Europian, nëpërmjet programit IPARD. Këto fonde janë pezulluar për shkak të keqmenaxhimit të institucineve shtetërore, me në krye Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) dhe Ministrinë e Bujqësisë. Paratë e taksapaguesve europianë shkuan për oligrakë, biznesmenë të mëdhenj, si dhe për njerëzit e afërt të politikanëve apo ish politikanëve.

Pas pezullimit të këtyre fondeve, qeveria shqiptare hapi thirrjet kombëtare për “mbështetjen e bujqësinë”, ku përfitues ishin edhe dy familje nga fshati Suk 1 në Roskovec, Tauland Hoxha dhe Leonora Hoxha, të cilët do të përfitonin 50 % të vlerës së ndërtimit të serave. Taulandi, vetëm 23 vjeç, ndërtoi sëbashku me familjen 2 hektarë serë, ndërkohë familja e Leonorës ndërtoi 6 dynymë sera.

Fiksi udhëtoi në fshatin Suk 1, pas denoncimit të dy familjeve, të cilat kanë mbetur të shtangur kur, në momentin së kishin përfunduar ndërtimin e serave, AZHBR-ja u kërkoi që të kthenin edhe ato kacidhe që kishin marrë. Sokol Hoxha, bashkëshorti i fermeres Leonora Hoxha, tregon se familja e tij ka ndërtuar 6 dynymë sera, kostoja e së cilës ka shkuar në rreth 15 milionë lekë të rinj. Nga këto, gjysmën e shumës do e merrte subvencion nga AZHBR-ja dhe gjysmën nga kursimet e tij. Skema parashikon se, në momentin e miratimit, qeveria i jep 30 % të vlerës (gjysmës së saj) dhe pjesën tjetër në fund të investimit.

“E mbaruam serën dhe tani na thonë më ktheni ato që iu kemi dhënë! Na dhanë 2.2 milionë lekë. Na thonë keni 90 ditë kohë për t’na i kthyer. Ku t’i gjejmë? Na futën në këtë qorrsokak dhe s’po dalim dot. Na thanë i duam në këto përmasa, morëm firmë dhe i bëri. Firma quhet ‘Rista Group’. Ata të AZHBR-së e panë emrin e firmës, pranuan edhe ofertën tonë dhe e miratuan. Tani në fund na thonë që firma s’ka drejtues teknik. I kujt është problemi? Ç’punë kemi ne me drejtuesin, ne domate mbjellim” thotë Sokoli.
Ai shton se përse AZHBR-ja nuk i skualifikoi që në fillim, por tani që mbaruan serën?! “Ne për këtë shkak e lamë pa mbjellë serën. Ku t’i gjejmë lekët për fidanë e punëtorë” thotë ai. Më tej shton se asnjë punonjës nga AZHBR-ja s’ka shkuar për të parë se çfarë kanë bërë këta fermerë.
Fiksi shkon në serën e dytë, në pronësi të Tauland Hoxhës,, 23 vjeç. Nëna e tij thotë se kanë investuar mbi 300 milionë lekë për të mbjellë 2 hektarë sera dhe tani AZHBR-ja u kërkon që të kthejnë 60 milionë lekë për 90 ditë (30 % i gjysmës së shtetit). “Ku t’i gjejë djali im 23 vjeç këto lekë? Ne kemi marrë kredi dhe jemi zhytur tani na thonë ktheni lekët. Ne sera i kishim më parë, t’na i linin ashtu” thotë ajo.
Gjatë intervistës, e pranishme ishte edhe gjyshja e 23 vjeçarit. Me lot në sy e moshuara thotë se fajin e ka shteti, pasi edhe një djalë që vendosi të qendrojë në Shqipëri dhe të mos emigrojë, sorollatet dhe e zhysin në këtë mënyrë.
Pas ankesave, grupi i Fiks Fare shkon në AZHBR, në drejtorinë qendrore në Tiranë, për të takuar drejtoreshën Ardita Kuçi, e cila ka vendosur emrin dhe firmën që këta 2 fermerë të kthejnë paratë. Në momentin që Fiksi shkon në atë institucion, askush nuk preferon të japë intervistë. Drejtoresha nuk pranon, ndërkohë që edhe punonjëset e tjera largohen sapo gazetarët i drejtojnë pyetjet që kanë të bëjnë me situatën e dy fermerëve në zonën e Roskovecit.
Fiksi priti prej më shumë se 5 orësh drejtoreshën Ardita Kuçi, por ajo jo vetëm që nuk flet, por urdhëron edhe punonjësit e sigurisë për të larguar nga godina e AZHBR-së grupin e Fiks Fare. Pas një pritje të gjatë dhe ngujimit në zyrë, drejtoresha kërkoi përforcime edhe nga Policia e Shtetit. Dy patrulla të policisë shkuan në AZHBR me objektivin për të larguar grupin e Fiks Fare.
Vijon …
Top Channel