Paradoksi i Botërorit 2026/ Luhet në Amerikë, por oraret u vendosën për shqiptarët dhe europianët!

15/07/2026 14:15

FIFA po përballet me një reagim të ashpër dhe të egër të tifozëve në SHBA për shkak të orareve të hershme të gjysmëfinaleve dhe finales së madhe të Botërorit 2026.

Shumë adhurues të futbollit në Amerikë do të jenë ende në zyrat e tyre të punës kur Lionel Messi të zbresë në fushë kundër Anglisë. Për ta, ky Botëror i madh u “vodh” në sekondën e fundit nga vetë vendi mikpritës.

Mirëpo, a është vërtet kaq dramatike situata?

Ndoshta jo plotësisht. Por pyetja që ngrihet është legjitime: Si pretendon FIFA ta kthejë futbollin në sportin kryesor në SHBA, kur amerikani i thjeshtë do të jetë duke punuar, duke korrur barin e shtëpisë, i bllokuar në trafik apo duke bërë blerje në “Home Depot” pikërisht në mes të gjysmëfinales së Botërorit?

“Tragjedia” amerikane është festa jonë në Europë

Të jemi të sinqertë: të kesh përballjen Angli-Argjentinë në ekranet tona në orën 21:00 (orari i Europës) është thjesht brilante.

Ne mund të nxjerrim qenin shëtitje në mëngjes, të mbarojmë punën e të kthejmë nja dy birra të ftohta përpara se një Thomas Tuchel i tërbuar të fillojë t’u bërtasë lojtarëve të tij të “Tre Luanëve” që të luajnë më shpejt.

Por ky fat nuk vlen për të gjithë. Kjo histori duhej të ishte për Amerikën, për të ardhmen e futbollit atje dhe për të frymëzuar brezin e ri të yjeve nga Washingtoni në Maine. Atëherë, pse në dreq të botës FIFA vendosi që të dyja gjysmëfinalet dhe finalja e madhe të nisin në orën 14:00 në Chicago dhe në 15:00 në New York?

Situata bëhet akoma më “qesharake” nëse jeton në Los Angeles. Atje, gjysmëfinalet e turneut më të madh në historinë e sportit do të nisin në orën 12:00 të mesditës. Asgjë e rëndësishme apo jetëndryshuese nuk ndodh në Los Angeles në mesditë, përveç faktit që paguan tepër shtrenjtë për një drekë ose ngec përsëri në trafik.

“Një nga idetë më budallaqe të mundshme që këto gjysmëfinale të luhen në orën 12:00 të mesditës të së martës dhe të së mërkurës,” shkruan një tifoz i tërbuar në rrjetet sociale.

“Sa e pështirë që gjysmëfinalet e një Botërori që luhet në Amerikë të nisin në orën 15:00 me diellin përvëlues jashtë, dhe në 12:00 të mesditës në Bregun Perëndimor, në vend që të luheshin në mbrëmje (primetime). Ndeshjet do të mbarojnë para se njerëzit të dalin nga puna. Audiencë skandaloze, planifikim i tmerrshëm!” – shkruan një tjetër.

Pse FIFA zgjodhi këtë rrugë?

Pavarësisht zemërimit, ky Botëror kaq i madh ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm për FIFA-n, me stadiume të mbushura plot dhe një atmosferë elektrizuese. Ekzistojnë gjithashtu shpjegime mjaft logjike se pse finalja do të luhet në orën 15:00 (sipas kohës së New York-it).

  • Futbolli është lojë globale: Ai është pafundësisht më i popullarizuar në pjesën tjetër të botës (në Europë, Amerikën Latine dhe Azi) sesa specifikisht në SHBA.
  • Faktori i motit dhe rikuperimi: Temperaturat e nxehta të korrikut, koha e rikuperimit për lojtarët dhe udhëtimet e gjata mes qyteteve kërkonin një balancë delikate.

“Kemi bërë çmos për të gjetur ekuilibrin e duhur,” u shpreh Manolo Zubiria, drejtori i turneut për Shtetet e Bashkuara.

Amerikanët gjithsesi e kanë mendjen diku tjetër

SHBA ka çdo të drejtë të ndihet e injoruar nga FIFA gjatë ndeshjeve më të rëndësishme të këtij Botërori 2026.

Por le të jemi të sinqertë për këtë “fyerje”: Sa prej amerikanëve të apasionuar pas sportit do të mërziten vërtet? Për shumicën prej tyre, ky orar i çuditshëm është thjesht preteksti i përsosur për të fikur televizorin nga futbolli e për t’u rikthyer te sportet e tyre të preferuara: NFL, baseball-i, golfi apo edhe lojërat e tyre tradicionale.

Ndërkohë, ne në këtë anë të oqeanit mund të rrimë të qetë. Sonte në orën 21:00, bëni gati pijet dhe shijoni spektaklin e madh Angli-Argjentinë drejtpërdrejtë në Digitalb. Për ne, ky është orari perfekt!

Top Channel