Një aksident ka ndodhur gjatë natës në qytetin e Lushnjës. Burime për Top Channel, raportojnë se ngjarja ka ndodhur në rrugën kryesore të qytetit, pranë shkollës “Skënder Libohova”.
Drejtuesi 22-vjeçar i një mjeti minibus ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga, e më pas ka përfunduar në lulishten e qytetit.
Si pasojë ka mbetur e plagosur rëndë Teuta Alickolli 51 vjeçe, e cila ishte së bashku me bashkëshortin dhe djalin, të cilët ishin duke pirë kafe në lokalin e tyre. Gruaja është transportuar në spitalin e Lushnjës, ku nuk ka arritur t’i mbijetoj plagëve të marra dhe ka humbur jetën.
Nga ky aksident ka mbetur i plagosur bashkëshorti i viktimës shtetasi F.Alickolli, 54 vjeç dhe djali i tyre Q.Alcikolli, 24 vjeç, të cilët ndodheshin në lulishte. Shtetasit, F. Alickolli dhe Q. Alickolli ndodhen në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve.
Fillimisht u raportua se drejtuesi i mjetit ishte një 16-vjeçar, por më pas, policia tha zyrtarisht se bëhej fjalë për një 22-vjeçar.
Materialet i kaluan Prokurorisë Lushnjë për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel