Nga Christophe Van Gerrewey
Një djalë i ri, i zhytur në plogështinë e rrethanave të pashmangshme, nis t’i shkruajë një letër ish të dashurës.

Qëllimi i tij fillestar është t’i tregojë asaj sa shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ndarja e tyre. Teksa shkruan, ai fillon të kuptojë se atë letër nuk do ta dërgojë kurrë, madje fillon të fantazojë se ndoshta duhet ta botojë atë.

Nga ana tjetër, dërguesi dhe marrësja e letrës marrin jetë dhe shkëputen pak nga pak nga autori. Marrësja kthehet në një rrëfimtare të dytë, duke i dhënë frymë një tjetër historie, një varianti të dytë, një interpretimi të ri të historisë së tyre. Ky akt fillimisht “hakmarrës” shndërrohet në një dialog që skicon vështirësitë e historive moderne të dashurisë.

Romani duket se eksploron botëkuptimin tonë mbi dashurinë, me anë të një historie dashurie në dukje të thjeshtë, duke e shpalosur atë ngadalë e duke nxjerrë në pah kontradiktat themelore të idealit dashuror.

Ky roman largohet nga normat e zakonshme të stilit apo strukturës formale dhe paraqet një thellësi mendimi, që e shtyn lexuesin të identifikohet me rrëfimtarin si të ishte një bashkautor. Monologu i pafund, por i dëshpëruar i një burri që ka humbur dashurinë, por kërkon ende të flasë me ish-të dashurën e vet, ndaj zgjedh t’i shkruajë një letër, që e di qysh në fillim që do të përfundojë në roman, për ta lexuar të gjithë njerëzit. “Kam shumë për të thënë” fitoi Çmimin e Debutuesve në vitin 2014, në Belgjikë, si dhe arriti ndër finalistët e disa çmimeve letrare belge. Në vitin 2016, fitoi Çmimin Europian për Letërsinë.

Kritika

 

Dashuria nuk mungon si temë në veprat letrare, por janë të paktë ata që kanë arritur të shkruajnë për të në një mënyrë kaq të zgjuar sa i riu flamand, Christophe Van Gerrewey… Duket i aftë të sjellë në jetë edhe gurët.

Volkskrant

Ky mjeshtër i stilit shkëmben, pa u sforcuar, deklarata lirike dashurie e urrejtjeje me kritika shoqërore e letrare thumbuese.

NRC Handelsblad

Një vepër debutuese tërheqëse dhe bindëse.

De Standaard

 

Fragmente nga libri

 

1)      Është e vështirë të imagjinohet se sa e mërzitshme mund të jetë jeta martesore dhe sa të kota janë përpjekjet për ta mbajtur në këmbë një martesë të pashpresë. Vështirë të imagjinohet se sa patetikë bëhen njerëzit kur bie fjala për dashurinë, se si ankohen dhe u shmangen disa të vërtetave, se si ngecen në vendnumëro në jetën e tyre dhe, të mbytur nga keqardhja për veten, kapen pas emocioneve të përjetuara në të shkuarën.

2)      Unë kam bërë vetëm zgjedhje të gabuara, dhe është shumë vonë për të bërë diçka ndryshe, kaq vjeçe sa jam, më duket e paimagjinueshme që kam vetëm dy zgjedhje; ose të bëj punë vullnetare, gjë që më pëlqen deri diku, por patjetër jo përgjithmonë dhe përveç kësaj marr edhe asistencë sociale, ose të bëj një punë ku s’është nevoja të vë trurin në lëvizje dhe të bie në depresion. E di që s’duhet të të zbrazem ty, më fal, madje as nuk e di nëse duhet të t’i them këto gjëra, kjo nuk i bën mirë lidhjes sonë, madje as përshtypjes që mund të kesh krijuar ndërkohë për mua, por ti më njeh, është vonë, e di, e shoh nga mënyra se si më vështron, me siguri që mendon: çfarë do të bëhet me ty, çfarë të dashure kam – mos më shih ashtu!

 

 

Skeda e Librit

 

Titulli origjinal

 

 

 

 

Op de hoogte

V. Bot 2019
Vendodhja Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha mbi 14 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë
Përkthyesi Irena Rama
Roman Psikologjik
Vendodhje Tirane

 

Top Channel