Ambasadorja Britanike Audrey Glover, udhëheqësja e misionit të OSBE-ODIHR në vëzhgimet e zgjedhjeve të 30 qershorit, në konferencën për shtyp kishte zgjedhur të vishej me një fustan mbi të cilin ishin stampuar disa ngjyra të rrëmujshme, si vetë situata që i parapriu këtyre zgjedhjeve.
Por vlerësimi i misionit të saj për lokalet e 30 qershorit anoi nga të qënurit politikisht korrekte me të gjitha palët e konfliktit politik duke mbërritur në përfundimin se aktorët jashtë dhe brenda zgjedhjeve nuk i morën në konsideratë interesat e zgjedhësve shqiptarë.
“Pozitivisht mund të themi se votimi u zhvillua në një situatë përgjithësisht të paqtë. Ne pamë prova se zgjedhësit u ndodhën nën presion nga të gjitha palët politike. Kjo bashkë me fokusimin nga një media e polarizuar te kriza politike dhe jo tek ofrimi i informacioneve të paanshme rreth kandidatëve, i pengoi disa votues që të votonin të lirë dhe të bënin zgjedhje të mirinformuara.
Kandidatët për kryetar bashkie garuan pa kundërshtarë në 31 nga 61 bashki gjithsej. Në këtë kontekst zgjedhësit nuk patën mundësi kuptimplotë për të zgjedhur mes opsioneve të ndryshme politike’, tha ajo.
Ky ishte i vetmi përfundim për zgjedhjet i britanikes Glover kur për herë të parë në historikun e vëzhgimit të 14 palë zgjedhjeve shqiptare nga OSBE-ODIHR nuk ka një konkluzion final dhe duhet të pritet raporti përfundimtar pas 60 ditësh . Megjithatë Glover nuk u kursye ta vërë gishtin mbi plagët e këtyre zgjedhje të cilat nga lokale u kthyen në më shumë se politike.
“Ndonëse një sërë partish politike, koalicionesh dhe grupesh qytetare dolën me kandidat, mungesa e partive kryesore opozitare në zgjedhje e kufizoi ndjeshëm mundësinë e zgjedhjeve për të zgjedhur kandidatë. Refuzimi fillimisht nga po ato parti për të emëruar antarë të administratës zgjedhore, plus interpretimi polarizuar më pas të ligjit zgjedhor e lanë administratën zgjedhore të vëndit të paekulibruar dhe ulën besimin tek zgjedhjet”, u shpreh Glover.
Udhëheqësja e misionit të OSBE-ODIHR Audrey Glover qëndroi larg etiketimeve vendosur këtyre zgjedhjeve.
“Nuk është sigurisht puna jonë që të certifikojmë zgjedhjet. Janë autoritetet e këtij vendi, duhen një sërë konsultimesh që duhen bërë me një trupë të madhe, konsultime materialesh dhe gjykatash në këtë vend për të parë certifikimin e tyre. Këto janë hapat që duhet të ndërmerren deri në atë moment. Nuk është puna jonë nuk është mandati ynë ti certifikojmë zgjedhjet. Ne do të dalim me raportin tonë përfundimtar dhe vlersimin tonë’, tha ajo.
Muhamed Veliu: E nderuar Ambasadore Glover. A pajtoheni me akuzat e opozitës të artikuluara dje dhe sot se KQZ është kthyer në Komisionin Qëndror të vjedhjeve?
Glover: Nuk jam e sigurt se për çfarë akuzash bëhet fjalë dhe ku bazohen ato. Dëshiroj të di pak më shumë detaje për bazën mbi të cilën janë ndërtuar akuzat përpara se të them diçka më shumë.
Top Channel