Drejtuesja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Lokale 2019, Audrey Glover theksoi në një intervistë ekskluzive për DW se nuk ka përfunduar ende gjithë cikli i procesit zgjedhor. Jemi duke parë me shumë interes ankimimet, që janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi, u shpreh ajo.

“Jam shumë e kënaqur që në zgjedhjet e të dielës vështirë se pati ndonjë akt të rëndë dhune. Zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe në rregull, gjë që është shumë e mirë, duke marrë në konsideratë se sa shumë dhunë ka patur në zona të ndryshme të vendit, sa të dhunshëm kanë qënë muajt e fundit. Por përderisa procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ende nuk mund të përshkruaj atë në tërësi”- tha Glover.

E pyetur mbi pasojat që solli për votuesit bojkoti i 30 qershorit nga PD, Glover nënvizoi faktin që kandidatë për Kryetarë Bashkie garuan pa konkurrentë përballë. Kam folur me disa kandidatë që nuk patën kundërshtarë, ata më thanë, se kjo gjë largoi interesin nga zgjedhjet, kur nuk ke asnjë përballë, asnjë kundër, kjo ndikon në performancën e kandidatit, sa bindës është.

Përcaktimi i zgjedhjeve ndërkohë, shtoi ajo, do të varet nga autoritetet vendase, se çfarë kanë ndërmend të bëjnë si rezultat i kësaj situate. Kemi të dhëna se ndaj votuesve u ushtrua presion nga të gjitha palët politike, tha mes të tjerash Glover, që në fund e vuri theksin tek kryerja e reformës zgjedhore, të cilën ky mision e rekomandon prej një kohe të gjatë.

Shqipëria duhet të ketë një sistem drejtësie që të funksionojë si duhet, të ketë Gjykatën e Lartë dhe më e rëndësishme të ketë Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të jetë pjesë e rekomandimeve edhe kësaj here në raportin tonë final, deklaroi Glover.

Top Channel