Panik në fluturimin Manchester-Tiranë të Ryanair, alarm për bombë në avion, pasagjerët gjejnë shënimin
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester-Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.
Top Channel