“Protestat, rrezik për ekonominë”/ RFMN mbyll misionin në Shqipëri: Po ruan performancë të fortë makroekonomike, pavarësisht luftërave. Kujdes me pavarësinë e SPAK

20/11/2026 22:07

“Shqipëria ka ruajtur një performancë të fortë makroekonomike, pavarësisht goditjeve të jashtme”! Në këtë përfundim arrin Fondi Monetar

Ndërkombëtar në deklaratën përmbyllëse të misionit për vitin 2026, ku theksohet se rritja e qëndrueshme, rënia e borxhit publike dhe inflacioni i qëndrueshëm kanë forcuar rezervat makroekonomike.

“Ekonomia e Shqipërisë ka vijuar të performojë fuqishëm, duke treguar qëndrueshmëri mes goditjeve të njëpasnjëshme të jashtme. Rritja ekonomike arriti në 3.7 për qind në vitin 2025 dhe mbeti në atë ritëm në gjysmën e parë të vitit 2026, e mbështetur nga konsumi i fortë privat dhe shërbimet e turizmit, mes rritjes së shpejtë të kredisë dhe rritjes së çmimeve të pronave. Papunësia është në nivele historikisht të ulëta dhe pati rritje të fortë të pagave”.

Megjithatë, në deklaratën përmbyllëse FMN ngre shqetësimin për tensionet gjeopolitike në rritje dhe protestat në kryeqytet, që sipas institucionit financiar ndërkombëtar, mund të dëmtojnë turizmin dhe investimet.

“Dobësimi i mjedisit të jashtëm, shtrëngimi i kushteve financiare globale dhe tensionet e shtuara gjeopolitike mund të rëndojnë mbi turizmin, investimet dhe rritjen ekonomike. Në të njëjtën kohë, tensionet e fundit sociale i janë shtuar pasigurisë së brendshme. Trazirat e zgjatura sociale mund të rëndojnë (ndikojnë negativisht) gjithashtu mbi besimin, turizmin dhe investimet, si dhe të vonojnë axhendën e reformave”.

Ekspertët e FMN kritikojnë qeverinë edhe për paketën fiskale të 2027-ës.

“Paketa fiskale përmban hapa të mirëpritur për zgjerimin e bazës tatimore dhe uljen e trajtimeve preferenciale, por disa masa janë të patargetuara. Ulja e përhershme e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore dhe heqja e taksës së qarkullimit janë të kushtueshme fiskalisht, shtrembërojnë sinjalet e çmimeve dhe përfitojnë segmente të popullsisë që nuk kanë nevojë për mbështetje”.

Vlerësohet përparimi në Reformën në Drejtësi dhe sundimin e ligjit në vend, si elementë pozitivë për ekonominë, por kërkohet më shumë pavarësi për SPAK-un.

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të ruajtur pavarësinë operacionale dhe efektivitetin e SPAK-ut, të shoqëruara me forcimin e institucioneve gjyqësore, modernizimin e kadastrës dhe forcimin e të drejtave të pronësisë”.
FMN vlerëson të qëndrueshme ekonominë shqiptare edhe në vijim

“Nga viti 2027 e në vijim, rritja ekonomike parashikohet të shkojë drejt potencialit të saj afatmesëm prej rreth 3,2 për qind, krahasuar me një rritje mesatare vjetore prej 4 për qind gjatë periudhës 2022–2025”.

FMN kërkon më shumë mbështetje strehimi për familjet në nevojë dhe përmirësim të ndihmës për pensionistët brenda një kuadri të bazuar në rregulla që ruajnë qëndrueshmërinë fiskale, në vend të bonuseve.

Top Channel