“Nuk kam bërë asgjë të gabuar”/ U arrestua pas akuzave për sulm, udhëheqësi i Reform UK në Uells jep dorëheqjen
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Napoli të Italisë, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë foto nga aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitës së tij, duke e cilësuar si “fotoALBUMI i ditës së hapjes së Konsullatës Shqiptare në Napoli”. Në albumin e publikuar prej tij shfaqen takime me rektorët e universiteteve, si dhe me përfaqësues të Katedrës së Gjuhës Shqipe.
Një dhuratë simbolike që i kanë dhuruar ishte një statujë e tij në miniaturë.

Gjatë qëndrimit në Napoli, Kryeministri Rama vizitoi edhe Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit “L’Orientale”, një prej qendrave historike të studimeve albanologjike. Kjo katedër lidhet me një traditë të rëndësishme të studimeve shqiptare dhe ka kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Në takimin me stafin akademik të universitetit, Rama vlerësoi rëndësinë e kësaj tradite dhe nënvizoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve, përmes krijimit të një rrjeti më të strukturuar të studimeve shqiptare.
“Ta krijojmë një lloj rrjeti këtu në universitet, me idenë që më pas të mund të ndihmojmë në mënyrë më të strukturuar dhe gjithashtu ta përdorim për të ruajtur e për të shfrytëzuar më mirë gjithçka që prodhohet këtu”, u shpreh Kryeministri.
Sipas Ramës, një bashkëpunim më i strukturuar do të ndihmonte në ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e mëtejshëm të studimeve dhe trashëgimisë shqiptare.

Vizita e Ramës në Napoli vjen në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me institucionet shqiptare dhe italiane, ndërsa hapja e Konsullatës së Nderit synon të krijojë një pikë të re lidhjeje për shqiptarët dhe interesat e Shqipërisë në këtë zonë të Italisë.
Top Channel