E enjtja është dita e Parlamentit, por tashmë është edhe dita e protestës së opozitës me bllokimin e rrugëve me mos bindje civile. Zhvillimet e fundit politike kanë krijuar një dinamikë të re, por edhe pikëpyetjet për zgjidhjen e këtij ngërçi janë shtuar. Për të folur në lidhje me këtë situatë por edhe për aktualitetin politik i ftuar sot në Top Talk ka qenë gazetari dhe publicisti Frrok Çupi.

Gjatë intervistës, gazetari u shpreh se cikli i Partisë Demokratike dhe LSI-së ka përfunduar. Sa herë që PD ndodhet në situata të tilla përdor dhunën, por tashmë situata ka ndryshuar dhe se shqiptarët nuk e duan dhunën.

“Fakti që opozita nuk ndodhet në Parlament, do të thotë se ka defekte shumë të mëdha. Vendimi i opozitës për bllokimin e rrugëve, do të thotë se ka disa qëllime të tjera. Opozita si PD dhe LSI kanë mbyllur ciklin e tyre politik, po funksionojnë me mjetet e tyre, ku njëra është përdorimi i dhunës, me detyrimin për t’u koracuar si parti sepse nuk zhvillohet më tej, ose për tu kthyer si qen roje për një gjë tjetër. PD e ka mbyll ciklin për shkak se prej vitit ’92 kur ka ardhur në pushtet ka humbur pushtetin në 4 muaj. Ka ardhur në pushtet në fund të marsit dhe në korrik nuk është votuar më nga shqiptarët, në masën 90%. Dhe pas kësaj PD e mbylli ciklin, përdori mjete e tjera, praktikisht përdori dhunën. Në momentet kur PD ka vdekur, e kam fjalën për ciklin, ka dalë prej saj nëpërmjet dhunës dhe tani është kthyer tek vetja. Shoqëria ka ndryshuar shumë dhe nuk e pranon më dhunën”, u shpreh Çupi.

Sipas publicistit, dhuna politike është njësoj si terrorizimi, vret 3 veta por frikëson 3 miliardë.

Top Channel