Ilir Demalia publikon foton dhe dedikimin e Rexhep Qoses: Si i detyroi serbët të tërhiqeshin në Beograd në ’88

23/04/2026 16:08

Ilir Demalia ka publikuar kopertinën nga libri “Strategjia e Bashkimit Shqiptar”, në cilin ka marrë një dedikim prej akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta sot.

Duke kujtuar veprën e  tij, Demalia e vlerëson atë si një model i antikonformizmit dhe një mjeshtër i mendimit.

Ndër kujtimet që sjell, Demalia ndalet te viti 1988, ku në Beograd thotë, në ballafaqimin mes Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe asaj të Serbisë, fjala e tij u bë argument dhe kufi: logjika e tij e detyroi palën tjetër të tërhiqej nga vazhdimi i takimit në Prishtinë. Ishte një fitore e mendimit mbi presionin.

“Pa asnjë hezitim, ai i përket panteonit të mendimit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare. Ky ishte misioni i tij: të thoshte të vërtetën, ta mbronte atë dhe të kërkonte zgjidhje, edhe kur kjo kërkonte guxim përballë kohës dhe rrymave.

Rexhep Qosja ishte modeli i antikonformizmit — i mendimtarit që nuk përkulet, i idealistit që nuk dorëzohet, i rilindasit modern që e sheh kombin si projekt të përhershëm shpirtëror dhe politik. Ai nuk i shërbeu rehatisë së mendimit, por sfidës së tij.

Në vitin 1988, në Beograd, në ballafaqimin mes Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe asaj të Serbisë, fjala e tij u bë argument dhe kufi: logjika e tij e detyroi palën tjetër të tërhiqej nga vazhdimi i takimit në Prishtinë. Ishte një fitore e mendimit mbi presionin.

Në vitet ’80, romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë” lexohej me një frymë nga rinia studentore në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan — një dëshmi se fjala e tij depërtonte aty ku lind ndërgjegjja.

Ndërsa “Zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare” mbetet një testament politik dhe intelektual, një udhërrëfyes për shqiptarët në këtë shekull të trazuar, ku pyetjet janë të reja, por thelbi mbetet i njëjtë.

Rexhep Qosja do të kujtohet si një Diogjen shqiptar — një kërkues i së vërtetës në dritën e ditës, i pamëshirshëm ndaj hipokrizisë, i përkushtuar ndaj arsyes dhe dinjitetit.

Lamtumirë, mjeshtër i mendimit. Fjala jote mbetet”, shkruan Demalia.

Top Channel